Showbiz

Jessie J i nënshtrohet operacionit

Jessie J

Këngëtarja britanike, Jessie J, ka njoftuar se i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike për kancerin e gjirit dhe se tani është duke pushuar e duke pritur rezultatet.

Në një postim në media sociale, ylli 37-vjeçar ka falënderuar mjekët dhe infermieret për kujdesin, duke publikuar një seri fotografish e videosh nga koha e saj në spital.

Postimin e ka përshkruar si “ngritjet dhe uljet më të sinqerta të 48 orëve të fundit” dhe ka premtuar “që gjithmonë do t’i shfaqë udhëtimet e mira apo të rënda nëpër të cilat kalon”.

Jessie Je pati njoftuar për diagnostikimin me kancer të gjirit në fillim të muajit qershor. Menjëherë pati marrë mbështetje nga kolegët për ndarjen e përvojës me publikun.

Atë kohë pati njoftuar edhe për operimin. E të hënën në mbrëmje, ajo publikoi fotografi të partnerit të saj, Chanan Safir Colman dhe të birit të tyre gjatë vizitës në spital.

Në një nga videot përfshihej një klip i saj tek këndonte në spital në pritje të hyrjes në operim.

Pop-ylli ka thënë se është tejet falënderuese për ata që i ndihmuan gjatë procesit dhe ka inkurajuar njerëzit që të gjejnë fuqinë për t’u përballur me situata të vështira.

“Ju përqafoj të gjithëve që po kaloni diçka të vështirë tani. Ne mund t’ia dalim”, ka shkruar ajo.

Fansat dhe kolegët e industrisë kanë reaguar menjëherë duke i dërguar mesazhe mbështetëse.

Kur pati lajmëruar për diagnozën më herët, Jessie J pati thënë se donte të dilte në publik me lajmin në mënyrë që të shfaqë solidaritet me këdo që po kalon kohëra të tilla.