Artistja e njohur, Jennifer Lopez, ka treguar hapur se çfarë pret nga një partner i ardhshëm, duke theksuar se respekti dhe pranimi janë kushtet kryesore për këdo që dëshiron të jetë pjesë e jetës së saj.
56-vjeçja, që u divorcua nga aktori Ben Affleck në vitin 2025, po performonte hitin e saj të vitit 1999 “If You Had My Love” gjatë koncertit “Up All Night” në Las Vegas, të shtunën mbrëma, në The Colosseum në Caesars Palace. Gjatë performancës, ajo ka ndarë me publikun reflektime për dashurinë, dhimbjen dhe mënyrën se si ka ndryshuar këndvështrimi i saj me kalimin e viteve.
“Kur e këndova për herë të parë këtë këngë, isha shumë e re. E këndoja me shumë shpresë”, ka thënë Lopez, ka raportuar FemaleFirst.
Ajo ka shtuar se kënga e ka shoqëruar në faza të ndryshme të jetës.
“E kam kënduar edhe kur kam qenë e trishtuar, edhe kur kam qenë e lumtur. Por sot, e këndoj me fuqi”, ka thënë tutje ajo.
Më pas, Lopez e bëri të qartë mesazhin për publikun.
“Sepse e vërteta është se, nëse dikush do ta ketë dashurinë time, duhet ta fitojë atë. Duhet të më trajtojë siç duhet. Duhet të më respektojë. Duhet të më pranojë për gjithçka që jam. Duhet të më dojë, nëse dëshiron dashurinë time”, ka thënë ajo.
Aktorja ka theksuar tutje edhe anën tjetër të dashurisë.
“Nuk mund të kesh dashuri pa thyerje zemre. Nuk mundesh. Kjo është ajo rrugë në të cilën hyn me vetëdije”, ka thënë këngëtarja.
Megjithatë, pavarësisht se ka vendosur qartë rregullat për një lidhje të ardhshme, burime pranë saj thonë se Jennifer nuk është ende gati të nisë një romancë të re pas divorcit.
Një burim i ka thënë revistës PEOPLE në muajin dhjetor se për Lopezin, gjithçka ka të bëjë me punën dhe fëmijët dhe se ajo duket e lumtur dhe e qetë.
Lopez është nënë e binjakëve 17-vjeçarë, Max dhe Emme, të cilët i ka me ish-bashkëshortin Marc Anthony.
Historia e saj me Ben Affleck ka qenë e gjatë dhe e ndërlikuar. Ata u fejuan për herë të parë në vitin 2004, u ribashkuan në vitin 2021 dhe u martuan në korrik të vitit 2022. Jennifer kërkoi divorcin dy vjet pas ceremonisë së dytë të martesës në Georgia, duke shënuar 26 prillin 2024 si datën e ndarjes.
Ndërkohë, Lopez ka deklaruar më herët se po e shijon jetën si beqare, pas shumë përvojave të vështira në marrëdhënie.