Showbiz

Jennifer Lawrence tregon për bashkëpunimin e veçantë me Robert Patinsonin

Jennifer Lawrence

Jennifer Lawrence

Foto: Associated Press

Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Jennifer Lawrence, ka treguar se pse nuk ka pasur nevojë për një koordinator intimiteti gjatë xhirimeve të filmit të ri komedi-dramë ku luan përkrah aktorit britanik Robert Pattinson.

“Ne nuk kishim koordinator intimiteti, ose ndoshta kishim, por nuk konsideruam të nevojshëm… Unë u ndjeva shumë e sigurt me Robertin. Ai nuk është pervers dhe është shumë i dashuruar me partneren Suki Waterhouse. Kryesisht flisnim për fëmijët tanë dhe për marrëdhëniet”, ka thënë ajo në podcastin Las Culturistas.

35-vjeçarja ka shtuar se marrëdhënia profesionale me Pattinsonin ishte shumë e qetë dhe respektuese.

“Nuk kishte asgjë të çuditshme si ‘mos vallë ai mendon se më pëlqen?’. Po të kishte qenë diçka e tillë, ndoshta do të kisha kërkuar një koordinator intimiteti. Shumë aktorë meshkuj ofendohen nëse nuk të pëlqejnë, dhe pastaj fillojnë ta shprehin inatin në mënyra të ndryshme. Rob nuk ishte aspak ashtu”, ka thënë Lawrence.

Ndërkohë, aktorja ka folur edhe më parë për ndjesitë e pasigurisë që kishte përpara se të bëhej nënë për herë të parë.

Aktorja e Hollywoodit ka pranuar për Vogue se nuk e dinte çfarë ta priste nga mëmësia dhe si do t’ia dilte me sfidat e saj.

“Është shumë e frikshme të flasësh për mëmësinë, vetëm sepse është ndryshe për secilën grua. Nëse them ‘Ishte e mrekullueshme që nga fillimi’, disa gra mund të mendojnë ‘Për mua nuk ishte ashtu’, dhe të ndihen keq”, ka thënë ajo.

Ylli ka shtuar se ishte me fat që kishte shoqe që i kishin folur me sinqeritet për përvojën e tyre.

“Fatmirësisht kam shumë shoqe që më thanë të vërtetën: ‘Është e frikshme. Mund të mos lidhesh menjëherë me foshnjën. Mund të mos biesh në dashuri që në fillim’. Kështu që isha e përgatitur ta pranoja çdo ndjenjë që do të kisha”, ka thënë tutje ajo.

Aktorja është tani nënë e dy djemve, Cy, tre vjeç, dhe Louie, që ka lindur më herët këtë vit.