Showbiz

Jenna Ortega paralajmëron për përdorimin e AI-së

Jenna Ortega

Jenna Ortega

Foto: Associated Press

Aktorja, Jenna Ortega, ka paraljmëruar për përdorimin e tepërt të inteligjencës artificiale (AI) në filma dhe seriale, duke shpresuar që publiku “të lodhet” shpejt nga kjo teknologji dhe të rikthehet te krijimet e vërteta njerëzore.

“Ka një bukuri të veçantë në gjendjen njerëzore … dhe si njerëz, historikisht kemi prirje t’i teprojmë gjërat. Është shumë e lehtë të frikësohesh. Edhe unë jam e trembur në kohëra të tilla të pasigurta. Ndihet sikur kemi hapur Kutinë e Pandorës”, ka thënë aktorja e serialit “Wednesday” gjatë konferencës së jurisë në Festivalin e Filmit në Marrakech, ka raportuar FemaleFirst.

Ajo ka shtuar se AI-ja nuk mund t'i zëvendësojë gabimet e bukura dhe të vështira që vetëm njeriu mund t’i bëjë.

“Ka gjëra që AI-ja thjesht nuk mund t’i replikojë… një kompjuter nuk ka shpirt, dhe nuk mund të krijojë diçka me të cilën ne mund të lidhemi”, ka thënë ajo.

Ortega shpreson që publiku të lodhet nga përmbajtja e krijuar nga AI-ja.

“Shpresoj të kthehet në një lloj ‘ushqimi mendor të pashëndetshëm’… dhe pastaj papritur të ndihemi keq, pa e ditur pse. Dhe më pas vjen ai regjisor i pavarur në oborrin e shtëpisë së tij, që krijon diçka të re dhe ndez emocionin sërish”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Bong Joon Ho, regjisori i filmit “Parasite” dhe presidenti i jurisë, ka thënë se e sheh potencialin e AI-së, por personalisht do të donte ta “shkatërronte”.

“Përgjigjja ime zyrtare është se AI-ja është e mirë sepse më në fund po na detyron të mendojmë seriozisht se çfarë mund të bëjnë vetëm njerëzit. Por përgjigjja ime personale? Do të organizoj një skuadër ushtarake, dhe misioni i tyre do të jetë të shkatërrojnë AI-në”, ka thënë regjisori.

Regjisorja e “Past Lives”, Celine Song, u shpreh dakord me Guillermo del Toro, i cili kohët e fundit është zotuar se nuk do të përdorë kurrë AI-në në punën e tij.

“Duke cituar Guillermo del Toro-n: ‘F** AI’… mënyra se si ajo ka shkatërruar botën… mënyra se si po kolonizon mendjet tona dhe mënyrën se si e përjetojmë imazhin dhe tingullin, më shqetëson shumë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, detyra kryesore e artistëve është të mbrojnë humanitetin.

“Ne nuk jemi këtu për ta bërë jetën më të lehtë apo më të përshtatshme, por për të mbrojtur atë që do të thotë të jetosh”, ka thënë Song.

Ajo ka cekur se bashkëpunimi artistik nuk mund të zëvendësohet nga një algoritëm.

“Kur punoj me drejtorin tim të fotografisë, marr gjithë jetën e tij, gjithë përvojën, dështimet, sukseset… këto nuk mund t’i hedhësh në një algoritëm dhe të presësh të kthehen”, ka thënë ajo.

Dhe e mbylli me një tjetër deklaratë.
“…prandaj them sinqerisht dhe jo fort me respekt: f** AI”, ka deklaruar regjisorja.

Ndër anëtarët e panelit, e vetmja që foli për përfitimet e AI-së ishte regjisorja franceze Julia Ducournau, ani se ka theksuar se përdorimi i teknologjisë për të zëvendësuar punonjësit do të ishte i gabuar dhe imoral.

“Në filmin tim të fundit, ‘Alpha’, e kemi përdorur për CGI dhe na ka ndihmuar shumë. Por besoj fort se AI nuk duhet të marrë kurrë rolin e punës njerëzore apo të ndërveprimit njerëzor. Nuk mund të kem dialog artistik me AI. Mund të kem dialog artistik me mbikëqyrësin tim të CGI-së mbi mënyrën se si ta përdorim atë si mjet. Dhe kështu duhet të mbetet, thjesht një mjet”, ka thënë ajo.