Aktorja e njohur nga seriali “Wednesday”, Jenna Ortega, ka zbuluar se dëshiron të krijojë karrierë muzikore, por në mënyrë anonime, pa e lidhur askush me emrin e saj.
“Nëse ndonjëherë do të bëja muzikë, do ta bëja me një emër të rremë dhe s’do të flisja kurrë për të. Nuk do ta pranoja kurrë që kam lidhje me të, do të ishte vetëm për mua”, ka thënë Ortega në intervistë për V Magazine.
Ajo ka pranuar se është tepër e ndjeshme për ta përballuar presionin e industrisë muzikore.
“Mendoja që isha e fortë, por e vërteta është që unë bëj atë që bëj sepse jam e ndjeshme. Nuk mendoj që kam forcën për të qenë pjesë e industrisë së muzikës”, ka thënë ajo.

22-vjeçarja ka shtuar se do të donte të mësonte piano dhe të kompozonte për filma, edhe nëse muzika e saj nuk do të publikohej kurrë.
“Më vret fakti që nuk di të luaj në piano. Është një pjesë kaq e rëndësishme e filmit, mund ta krijoj ose ta prish një histori. E dua zërin. Heshtja nuk më pëlqen aq shumë”, ka thënë aktorja.
Për Ortegan, muzika është shumë më personale se aktrimi.
“Te muzika, njerëzit presin që ajo të jetë pasqyrim i vetes. Muzikantët frymëzohen nga jeta e tyre personale. Ndërsa aktorët fshihen pas personazheve”, ka thënë ylli.
Ajo kritikoi edhe mënyrën se si shoqëria e idealizon famën.
“E kemi kthyer idenë e famës në një lloj kulti. I vendosim njerëzit në piedestal dhe i shohim si superheronj, dhe kjo s’ka kuptim fare”, ka thënë ajo.

Edhe pse roli i saj në “Wednesday” e ka bërë të famshme globalisht, Ortega ka thënë se i mungon faza e përpjekjeve, kur shkonte në audicione pa garanci suksesi.
“Më pëlqente ajo periudha kur s’kisha presion. E dua ‘luftën’. Ka diçka të bukur në vështirësinë që ka një aktor në fillim. Të flesh në makinë, të vraposh në LA për audicione dhe pastaj të presësh me ankth për përgjigjen... Ishte emocion i pastër. Tani ndiej shumë më tepër presion dhe peshë në trupin tim. Mendoj se është thjesht pritshmëria”, ka thënë ndër të tjera artistja.