Showbiz

Katty Perry në darkë me ish-kryeministrin kanadez, lindin dyshime për romancë

Katy Perry dhe Justin Trudeau

Katy Perry dhe Justin Trudeau

Foto: Associated Press

Ish-kryeministri kanadez, Justin Trudeau, është parë duke darkuar me këngëtaren e famshme Katy Perry në Montreal, duke ndezur menjëherë thashethemet për një lidhje të mundshme mes tyre, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Sipas një konsulenteje për komunikim të restorantit “Le Violon”, ku u mbajt darka të hënën mbrëma, dyshja kaloi rreth dy orë bashkë në një ambient elegant dhe të qetë.

“Nuk pati as staf, as klientë që iu afruan për fotografi. E kuptuam që ishin më te[ relaksuar”, ka thënë Samantha Jin për mediat.

Ajo ka sqaruar gjithashtu se nuk kishte sinjale të qarta për një romancë.

“Nuk kishte ndonjë shenjë të dukshme afeksioni në publik”, ka thënë ajo.

Pamje nga darka, foto: TMZ

Pamjet që dolën në TMZ, treguan Trudeau dhe Perry duke biseduar me entuziazëm gjatë darkës. Sipas raportimeve, darka përfshinte një meny të veçantë të shefit të kuzhinës, që përfshinte tuna, biftek tartar, karkaleca deti, asparagus dhe si pjatë kryesore mish qengji. Shefi i kuzhinës, Danny Smiles, gjithashtu u përshëndet me ta, dhe para se të largoheshin, ata hynë në kuzhinë për të falënderuar stafin.

Perry është aktualisht në turne, me koncerte në Ottawa, Montreal, Quebec City dhe dy data në Toronto. Së fundmi ajo është ndarë nga partneri i saj me të cilin ishte një kohë të gjatë, aktori Orlando Bloom.

Nga ana tjetër, Trudeau dhe bashkëshortja e tij Sophie Grégoire u ndanë në vitin 2023. Trudeau e ka njoftuar dorëheqjen nga politika më herët gjatë këtij viti, pas afro një dekade në pushtet.

Ndërkohë, historia e familjes Trudeau me personazhe të famshëm nuk është e re. Babai i tij, ish-kryeministri Pierre Trudeau, i njohur për jetën e tij romantike, ka pasur lidhje me yje si Barbra Streisand dhe Kim Cattrall, dhe u martua në moshën 51-vjeçare me një grua 22-vjeçare.

Perry, e lindur dhe rritur në Kaliforni, është nominuar 13 herë për çmimet “Grammy” dhe është një nga artistet me albumet më të shitura të të gjitha kohërave. Albumi i saj më i famshëm “Teenage Dream” nga viti 2010 prodhoi pesë hite që arritën vendin e parë, duke barazuar rekordin e Michael Jacksonit.

As zëdhënësja e Trudeau, as ajo e Perry nuk kanë komentuar për darkën dhe spekulimet që po qarkullojnë në media.