Aktorja e njohur, Heather Graham, ka thënë se ndihet krenare që dikur ishte e dashura e aktorit legjendar, Heath Ledger.
55-vjeçarja, nga muaji tetor i vitit 2000 e deri në muajin qershor të vitit 2001, ishte në lidhje romantike me aktorin e filmit “Dark Knight”, i cili ka vdekur në moshën 28 vjeçe në vitin 2008.
“Isha shumë e dashuruar me të kur ishim në lidhje. Ai ishte i jashtëzakonshëm. Ndihem krenare që kam qenë e dashura e tij. Sigurisht, do të doja të ishte ende gjalle”, ka thënë Graham në podcastin e aktores Kristin Davis, “Are You A Charlotte?”, ka raportuar revista People.
Udhëheqësja e podcastit ka kujtuar kur i ka parë ata bashkë si çift në një kafene në Los Angeles, ndërkohë që ishte duke punuar në serialin “Sex And The City”.
“Po kam qenë me të. Në fakt, mendoj se e kemi shikuar bashkë ‘Sex and the City’ dhe mendoj që në të vërtetë i pati pëlqyer shumë... Më kujtohet që e kemi shikuar dhe ai më pati thënë se i përshtatej seriali”, ka thënë Graham.

Tutje ajo ka thënë se ndonjëherë duhet t'i bindësh djemtë ta shikojnë serialin me ty, ndërkohë që disave ju pëlqen, e disa të tjerë thonë se “është serial për vajza”.
Davis e përshkroi çiftin si “rreze dielli” për atë kohë dhe ka thënë se dukeshin shumë mirë bashkë.

“Atë kohë ishit sikur një rreze dielli në atë kafene. Po qeshnit e po prekeshit, e unë thash me vete se duhet të përmbahem. Ishit shumë të lezetshëm”, ka thënë aktorja.
Të dyja, Graham e Davis, pranuan se do të kishin dashur që Davis të shkonte për t’i përshëndetur.
“Por gjithashtu ndihesha sikur doja të ju mbroja, sepse nuk doja që të vija të ju ndërprisja e të vinte e gjithë vëmendja pastaj te ju, sepse po kalonit mirë në mënyrë private e dukeshit shumë të lirë”, ka thënë Davis.
Graham gjithashtu ka treguar se ende ka fotografi, në të cilat është ajo me Ledgerin, dhe se ka menduar që ta bëjë një album fotografik me to, që ta kujtojë përherë atë periudhë të jetës.
“Nuk jam shumë e sigurt, nuk e di. Njerëzit më kanë thënë se duhet ta marr lejen e familjes. Por i kam disa fotografi shumë të mira nga koha kur ishim bashkë”, ka thënë Graham.
Pas lidhjes me Grahamin, Ledger ishte në lidhje romantike me aktoren Naomi Watts, nga viti 2002 deri në vitin 2004.

Më pas ai pati filluar të dilte me aktoren Michelle Williams, nga viti 2004 deri në vitin 2007, lidhje nga e cila, në vitin 2005, lindi vajza Matilda.

