Modelja, Hailey Bieber, ka reaguar me shaka ndaj një fotografie të fundit virale në Instagram, ku shihej burri i saj, këngëtari Justin Bieber, me shoqen e saj të ngushtë, supermodelen Kendall Jenner.
Të shtunën, këngëtari i hitit “Sorry” ka publikuar disa fotografi nga një bar në Los Angeles, ku shihej me miq të ndryshëm. Një prej fotografive tregonte Jennerin duke iu afruar Bieberit, sikur t’i pëshpëriste diçka në vesh. Ky moment bëri që shumë adhurues të komentonin, duke aluduar për afërsinë mes supermodeles dhe këngëtarit ka raportuar The Independent.
“Ky njeri pozoj me të gjithë, përveç me gruan e vet”, ka shkruar një përdorues.
Ndërkohë një tjetër komentoi se “Kendall është gjithmonë shumë afër burrave të dikujt tjetër”.
Një pjesë tjetër e adhuruesve e morën me humor dhe e parashikuan reagimin e rrjeteve sociale.
“Mund t’i nuhas komentet pa i hapur fare”, ka shkruar dikush, ndërsa një tjetër shtoi se “Internetit s’ka me i pëlqye ky postim”.
Në mes të gjithë këtyre reagimeve, Hailey, ndërhyri me një koment në postimin e Bieberit, duke treguar se edhe ajo kishte qenë në bar.
“Gjithmonë është Kendall që tregon një histori me duart e saj”, ka shkruar modelja, komenti i së cilës mori mbi 200 mijë pëlqime.

Jenner iu përgjigj me humor “Mos o Zot, unë qenkam tregimtare vizuale”.
Kjo nuk është hera e parë që Hailey dhe Bieber tërheqin vëmendje me postimet e tyre. Në qershor, Hailey, ka publikuar disa fotografi verore në bikini dhe me një gotë martini. Fillimisht, sipas adhuruesve, përshkrimi ishte: “Martini me limonë dhe terapi gjithë verën”, por më vonë u ndryshua vetëm në “Martini me limonë gjithë verën”.
Ndryshimi ngjalli reagime nga ndjekësit që vunë re se fjalia për terapinë ishte fshirë.
“Pritni, a nuk shkruante ky postim ‘terapi dhe martini me limona gjithë ditën’? A jam vetëm duke imagjinuar postime në Instagram?” ka pyetur një adhurues përmes rrjeteve sociale.
Në të njëjtën kohë, vëmendja ndaj Hailey lidhej edhe me komentet për gjendjen mendore të Bieberit.
Në muajin prill, TMZ ka raportuar se ish-partneri i biznesit të Bieberit, Ryan Good, ishte i shqetësuar se kisha ku ai merrte pjesë, Churchome në Beverly Hills, po sillte elemente të një kulti.
Ndërkohë, në muajin maj, Bieber mori kritika për një tjetër postim në Instagram, dedikuar gruas së tij, pas suksesit të saj me ballinën e revistës “Vogue”. Ai postoi foto nga xhirimi dhe shkroi:
“Yo, kjo më kujton kur unë dhe Hailey patëm një sherr të madh. I thashë asaj se kurrë s’do dilte në ballinën e Vogues. Yikes, e di, shumë keq… Thjesht u ndjeva i ofenduar dhe mendova se duhet t’ia ktheja me të njëjtën monedhë”, pati shkruar ai.
Më pas ai shtoi se kur dikush piqet mendërisht e kupton se hakmarrja është e gabueshme.
“Kur piqemi, e kuptojmë që të hakmerresh s’të çon askund... Kështu që, zemër, e di tashmë, por më fal që thashë se nuk do dilje në Vogue, sepse e paska qenë gabimi më i madh”, pati shkruar tutje ai.
Megjithëse postimi i tij ishte menduar si mbështetës, shumë fansa e panë si të çuditshëm dhe disi ofendues.