Aktorja, Gwyneth Paltrow ka zbuluar se dëshiron ta ndërtojë fazën e dytë të karrierës së saj në film sipas modelit të kolegut të saj, aktorit, Leonardo DiCaprio, pasi u rikthye në aktrim me rolin e saj në dramën sportive “Marty Supreme”, pas një pauze të gjatë nga aktrimi.

52-vjeçja, fituese e “Oscarit”, u largua nga filmat pasi u bë nënë, për t’u fokusuar në ndërtimin e brendit të saj të mirëqenies, “Goop”. Tani që është rikthyer, ajo ka thënë se dëshiron të jetë shumë më e kujdesshme në zgjedhjen e projekteve, ashtu si DiCaprio.

“E shoh karrierën e Leos, dhe ne kemi nisur në të njëjtën kohë, 'Flesh and Bone', që ishte filmi im i parë i madh, doli kur doli 'Gilbert Grape' i Leos. Atëherë e takova, dhe mendoj se Leo e ka menaxhuar karrierën e tij në mënyrë të mrekullueshme. Gjithçka ka qenë tek ajo çfarë ka pranuar dhe çfarë ka refuzuar, dhe askush nuk ma shpjegoi këtë kur isha në të 20-at e mia. Kështu që, nëse do ta bëj përsëri, do të marr shembull nga Leo dhe do të jem shumë më selektive në përzgjedhjen e punës”, ka thënë ajo për The Hollywood Reporter.
Paltrow, e cila është nënë e Apple, 21 vjeçe, dhe Moses, 19 vjeç, me ish-bashkëshortin, anëtarit e grupit muzikor Coldplay, Chris Martin, ka thënë se ndonjëherë karriera e saj e hershme i dukej sikur “u hodha sipër një treni në lëvizje”, duke pranuar se mori shumë punë dhe u “dogj” emocionalisht.

“Nisa të aktroja kur isha 18 vjeçe, dhe ishte sikur të më kishin hedhur në një tren që thjesht vazhdonte pa ndalur. Ishte si mënyra se si trajnohet një vajzë e re për takime: ‘A më duan?’ Jo, jo, a i do ti ata? As nuk ndalesha të mendoja: ‘A është ky një projekt i mirë? A është ky një regjisor i mirë?’ Dhe ndoshta s’duhet, je fëmijë dhe çdo gjë është emocionuese. Por ka edhe një pjesë të pasigurt brenda teje që të thotë se duhet të vazhdosh të thuash po. Unë thoja po për gjithçka, derisa u dogja plotësisht. Kur lindi vajza ime, thashë: ‘Mbarova. Nuk e bëj më këtë’”, ka thënë aktorja.
E pyetur për planet e ardhshme në film, Paltrow ka pranuar se ende nuk ka nënshkruar asgjë të re.

“Nuk i kam thënë po asgjëje ende. Kam menduar për disa projekte, por për nga koha është e vështirë sepse kam shumë përgjegjësi me kompaninë time. Nuk kam pse nxitoj. Nëse do të kthehem me të vërtetë në aktrim, do ta bëj shumë ndryshe nga hera e parë”, ka thënë ajo.
Traileri i filmit "Marty Supreme":