Showbiz

Grupi K-pop NewJeans humb betejën ligjore ndaj përfaqësuesit të tij diskrografik “Ador”

NewJeans

NewJeans

Foto: Associated Press

Grupi K-pop, NewJeans, ka humbur betejën ligjore kundër kompanisë së tij diskografike “Ador”, pasi gjykata në Seul vendosi se kontrata e grupit, e vlefshme deri më 2029, mbetet në fuqi, ka raportuar BBC.

Pesë anëtaret, Hanni, Hyein, Haerin, Danielle dhe Minji, kishin shpallur në fund të vitit të kaluar se po largoheshin njëanshëm nga kompania, duke e akuzuar për “keqtrajtim dhe manipulim”. Sipas mediave koreane, grupi do ta apelojë vendimin, duke theksuar se është “e pamundur të kthehemi në ‘Ador’ dhe të vazhdojmë aktivitetet si më parë”.

Gjykata e Qarkut e Seulit hodhi poshtë pretendimin e tyre se shkarkimi i ish-drejtoreshës së “Adorit”, Min Hee-jin, mentores së grupit, përbënte shkelje kontrate.

“Humbja e besimit mes palëve nuk mjafton për ta anuluar marrëveshjen”, ka deklaruar gjykata kur mori vendimin.

Në reagimin e tyre, përfaqësuesit e “Ador”  u shprehën se shpresojnë që gjykata “të shërbejë si mundësi që artistet të reflektojnë me qetësi mbi këtë çështje”, duke shtuar se është “gati për aktivitetet e ardhshme të NewJeans”, përfshirë publikimin e një albumi të ri.

Rasti ka tronditur industrinë e K-pop-it, ku kompanitë e menaxhimit kanë kontroll të madh mbi artistët dhe konflikte të tilla janë jashtëzakonisht të rralla.

Formuar në muajin korrik të vitit 2022, NewJeans, me anëtare të moshës 17 deri 21 vjeç, u ngjitën me shpejtësi në majat e famës. Kënga e tyre debutuese “Attention” kryesoi top-listat koreane, ndërsa “SuperShy” u përfshi në top-listat “Best of 2023” të Rolling Stone, NME dhe Billboard. Kritikët i kanë vlerësuar lartë për stilin e tyre që ndërthur R&B-në e viteve ’90 me tinguj pop të ëmbël.

Përplasja me “Adorin” nisi në muajin prill 2024, kur kompania mëmë “Hybe” (që menaxhon edhe grupet BTS dhe Seventeen) nisi një auditim ndaj Min Hee-jin, duke e akuzuar se donte të ndahej nga kompania. Pas shkarkimit të saj në gusht, anëtaret e grupit kërkuan rikthimin e Min Hee-jinit, por “Hybe” refuzoi.

Në muajin nëntor, NewJeans dolën publikisht me akuza se “Ador” po sabotonte karrierën e tyre, ndërsa Hanni deklaroi se kishte përjetuar ngacmim në vendin e punës. Në muajin dhjetor, “Ador” iu drejtua gjykatës për të konfirmuar vlefshmërinë e kontratës.

Në muajin shkurt, grupi tentoi të ribrendohej me emrin NJZ dhe të publikonte një këngë të re, por promovimet u ndalën nga një urdhër gjykate. Më vonë, gjatë një koncerti në Hong Kong, ato njoftuan se po hynin në pauzë të përkohshme.

Pas vendimit të fundit, NewJeans ka deklaruar se “ndonëse jemi të tronditura, do ta përballojmë këtë së bashku”.