Një grua është arrestuar në Los Angeles pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt shtëpisë së këngëtares së famshme Rihanna në zonën e Beverly Hillsit.
Autoritetet e kanë akuzuar për tentim vrasje, ndërsa shuma e garancisë për lirimin e saj është caktuar mbi 10 milionë dollarë, ka raportuar Rolling Stone.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Departamentit të Policisë së Los Angelesit (LAPD), e dyshuara është 35-vjeçarja Ivanna Lisette Ortiz nga Florida. Ajo u arrestua të dielën dhe u regjistrua në paraburgim pak pas orës 2:00 të mëngjesit, të hënën. Garancia për lirimin e saj është caktuar në 10 milionë e 225 mije dollarë, ndërsa akuzat zyrtare pritet të bëhen publike së shpejti.
Mediat amerikane raportojnë se Ortiz dyshohet se përdori një pushkë të tipit AR-15 për të qëlluar disa herë drejt rezidencës së këngëtares. Një nga plumbat thuhet se depërtoi në murin e vilës.
Në momentin e sulmit, rreth orës 13:21, në shtëpi ndodheshin Rihanna, partneri i saj A$AP Rocky dhe fëmijët e tyre, por fatmirësisht askush nuk u lëndua. Të hënën është raportuar se A$AP Rocky nuk ishte në shtëpi në kohën kur ndodhi sulmi. Motivi i sulmit ende nuk dihet dhe deri më tani nuk është gjetur ndonjë lidhje mes të dyshuarës dhe çiftit.
Sipas raportimeve të mediave, e dyshuara kishte mbërritur para shtëpisë me një veturë të bardhë Tesla dhe kishte qëlluar nga automjeti.
Policia raportoi fillimisht se janë dëgjuar rreth 10 të shtëna, ndërsa disa burime të tjera flasin për katër. Në portën e përparme të pronës janë parë edhe vrima që dyshohet se janë shkaktuar nga plumbat.
Pas të shtënave, automjeti u largua nga vendi i ngjarjes, por më vonë u lokalizua në një qendër tregtare në zonën Sherman Oaks nga një helikopter i policisë. E dyshuara u arrestua rreth gjysmë ore më vonë.
“Kur policia e ndaloi të dyshuarën dhe e mori në paraburgim, gjatë kontrollit të automjetit u gjet një pushkë sulmuese dhe shtatë gëzhoja”, ka thënë për Los Angeles Times, zëdhënësi i policisë, Armen Arias.
Sipas të dhënave të policisë, Ortiz është banore e Orlandos dhe punon si logopede e licencuar. Mediat raportojnë se ajo ishte arrestuar edhe më parë në disa raste në Florida, përfshirë një rast nën dyshime për drejtim të pakujdesshëm të veturës në vitin 2021 dhe një rast të dyshuar për dhunë në familje në vitin 2023.
Deri më tani, as Rihanna dhe as A$AP Rocky nuk kanë komentuar publikisht për incidentin.
Këngëtarja së fundmi ka publikuar një video në rrjetet sociale ku tregoi se po punon për albumin e ri, pas albumit të saj të fundit, “Anti”, të publikuar në vitin 2016, ndërkohë që vazhdon të kujdeset për familjen e saj.