Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Gjykatësi hedh poshtë shumicën e akuzave të Blake Livelyt kundër Justin Baldonit

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Një gjykatës federal në SHBA ka hedhur poshtë shumicën e akuzave që aktorja Blake Lively kishte ngritur ndaj kolegut dhe regjisorit Justin Baldoni.

Sipas vendimit të gjykatësit Lewis Liman, janë rrëzuar 10 nga 13 pretendimet e Livelyt, përfshirë edhe akuzën për ngacmim seksual, konspiracion dhe shpifje, ka raportuar The Guardian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tashmë, në gjykim do të shqyrtohen vetëm tri akuza, shkelje kontrate, hakmarrje, ndihmë dhe nxitje në hakmarrje.

Kjo do të thotë se çështja është ngushtuar dhe fokusi kryesor do të jetë te pretendimi i Livelyt se Baldoni ka qenë pas një fushate hakmarrëse për ta dëmtuar imazhin e saj publik.

“Kjo çështje ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet e fokusuar në hakmarrjen shkatërruese dhe hapat e jashtëzakonshëm që të pandehurit kanë ndërmarrë për të shkatërruar reputacionin e Blake Livelyt, sepse ajo foli për sigurinë në set, dhe kjo është çështja që do të shkojë në gjyq. Akuzat për ngacmim seksual u rrëzuan jo sepse të pandehurit nuk kanë bërë asgjë të gabuar, por sepse gjykata vendosi se Blake Lively ishte kontraktore e pavarur dhe jo punonjëse”, ka deklaruar avokatja e saj, Sigrid McCawley.

Nga ana tjetër, avokatët e Livelyt kishin pretenduar se Baldoni kishte sjelje “vazhdimisht të papërshtatshme” ndaj saj dhe se e kishte “puthur, përkëdhelur dhe prekur” pa pëlqimin e saj. Sipas tyre, ai kishte bërë edhe komente të padëshiruara për pamjen dhe peshën e saj gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”, i bazuar në librin e Colleen Hoover.

Në muajin qershor të vitit të kaluar, Lively ka tërhequr dy akuza për shqetësim emocional.

Po atë muaj, gjykatësi ka rrëzuar edhe padinë për shpifje prej 400 milionë dollarësh që Baldoni kishte ngritur ndaj saj dhe bashkëshortit të saj, aktorit Ryan Reynolds.

Filmi, i publikuar në vitin 2024, ishte një sukses i madh global me mbi 350 milionë dollarë fitime, por u shoqërua me zëra për konflikt mes dy protagonistëve dhe një betejë ligjore të gjatë.

Rasti ka nxjerrë në pah edhe mesazhe private të Livelyt me figura të njohura si këngëtarja Taylor Swift dhe aktori Ben Affleck. Në një prej mesazheve, ajo e quante Baldonin “regjisori budalla i filmit tim” dhe i kërkonte Swiftit mendim për një version të ri të skenarit. Sipas raportimeve, Swift i ishte përgjigjur: “Do të bëj gjithçka për ty!”

Gazetari Matthew Belloni ka komentuar më herët duke thënë se kjo gjë nuk e ndihmon asnjërën palë.

“Kjo nuk i ndihmon asnjërin prej tyre. Sa më shumë të zgjasë dhe sa më shumë akuza të hedhin ndaj njëri-tjetrit, aq më shumë dëmtohen të dy”, ka thënë Belloni.

Procesi gjyqësor pritet të nisë në muajin maj, pasi përpjekjet për ndërmjetësim muajin e kaluar kanë dështuar.