Pas më shumë se një viti e gjysmë lidhje, supermodelja Gigi Hadid e ka bërë për herë të parë publike në rrjetet sociale romancën e saj me aktorin Bradley Cooper, ka raportuar Us Weekly.
Hadid, e cila festoi ditëlindjen e saj të 30-të më 23 prill, ditë më parë ka shpërndarë një seri fotosh bardh e zi në Instagram, të realizuara nga fotografi Benjamin Rosser. Në mesin e tyre ishin pamje nga festa e saj e ditëlindjes me miqtë, një fotografi prekëse me vajzën e saj katërvjeçare Khai, të cilën e ka me ish-partnerin Zayn Malik, dhe një moment intim ku Gigi shihet duke puthur Bradley Cooperin, 50 vjeç, pranë një ëmbëlsire me çokollatë.
“Ndihem me fat që jam 30 vjeçe! Ndihem me fat për çdo moment të bukur dhe të vështirë, për të gjitha mësimet dhe dhuratat që më kanë sjellë. T’i ndjesh të gjitha! Jam me fat që jam nënë, mike, partnere, motër, bijë, kolege për disa nga njerëzit më të pabesueshëm!!”, ka shkruar Hadid në postim.

Ajo tutje ka shtuar se ndihet me fat për mbështetjen dhe inkurajimin nga të gjithë njerëzit nëpër botë, çdo ditë e edhe në ditëlindjen e saj.
“Kalova shumë mirë duke festuar dhe është një bekim të ndihesh kaq e dashur! Jam mirënjohëse dhe e nderuar që po hyj në një dekadë të re”, ka shkruar modelja.
Në një intervistë për revistën Vogue në muajin mars, Hadid ka folur hapur për lidhjen me Cooper.
“Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa të dish çfarë dëshiron dhe meriton në një lidhje, dhe të gjesh dikë që ndodhet në të njëjtën fazë në jetë, ku të dy punoni me vete për të qenë partnerët më të mirë që mundeni. Ndihem me fat. Po, ‘me fat’ është fjala”, ka thënë ajo
Ajo ka shtuar se Cooper, i cili ka edhe një vajzë shtatëvjeçare të quajtur Lea nga lidhja me modelen Irina Shayk, e mbështet shumë në karrierën e saj.
“E respektoj shumë si artist dhe ndjej se ai më jep shumë inkurajim dhe besim. Kur dikush që admiron të jep besim, kjo të jep guxim edhe për të ndërmarrë hapa të rinj. Si për shembull: çfarë ke për të humbur nëse shkon të bësh audicion për diçka? Hidhu, merr përsipër rrezikun”, pati thënë ajo.
Megjithëse të dy janë figura publike, Hadid pranoi se përpiqen të ruajnë një jetë sa më normale.
“Bradley më ka afruar me teatrin, dhe është bukur ta kem sërish këtë pjesë në jetën time. Por është e vështirë të krijosh një përvojë të zakonshme të takimeve edhe për miqtë e mi që nuk janë figura publike. Ku shkon? Me kë flet? Dhe pastaj vjen edhe një shtresë tjetër e privatësisë dhe sigurisë. Do të doje të besoje që njerëzit nuk do ta shesin historinë tënde te TMZ apo Deuxmoi, por nuk e di kurrë...”, ka thënë ndër të tjera ajo.