Aktorja e njohur e filmit “Wonder Woman”, Gal Gadot, për herë të parë ka komentuar publikisht dështimin komercial të filmit të Disneyt, “Snow White”, si dhe thashethemet për një marrëdhënie të tensionuar me kolegen, Rachel Zegler.
“E shijova shumë xhirimin e atij filmi, vërtet u kënaqëm. Edhe me Rachel Zegler kaluam mirë, qeshëm, biseduam, u kënaqëm. Unë isha e bindur se filmi do të bëhej një sukses i madh. Por, pastaj ndodhi 7 tetori, dhe si në shumë industri të tjera, jo vetëm në Hollywood, u vendos shumë presion mbi aktorët, krijuesit dhe të famshmit që të deklaroheshin kundër Izraelit”, ka thënë Gadot në emisionin izraelit The A Talks, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Ajo ka thënë se mundohet të jep kontekst për situatën dhe realitetin në Izrael, por në fund njerëzit vendosin vetë.
“Ishte zhgënjyese që filmi u prek kaq shumë nga kjo situatë dhe nuk pati sukses në kinema. Por, është ajo që është, ndonjëherë fiton, ndonjëherë humb”, ka thënë aktorja.
Gadot ka treguar gjithashtu se gjatë xhirimeve në Londër për filmin “The Runner”, ajo ishte përballur me protesta kundër saj.
“U ndjeva tepër e vetmuar. Protestues pro-palestinezë vendosën të më shënjestrojnë personalisht. Ishte një përvojë e vështirë dhe e pakëndshme. U ndjeva e vetmuar”, ka thënë ajo.
Megjithatë, aktorja ka theksuar se ndihet më e sigurt në vendlindjen e saj.
“Unë ndihem më e sigurt në Izrael, pavarësisht alarmit për raketat dhe gjithçkaje që ndodh. Tani është bërë shumë më e ndërlikuar të jesh izraelite jashtë Izraelit. Kur jam jashtë, gjithmonë më shoqëron një ekip sigurie”, ka thënë aktorja.
Një tjetër temë që ajo preku ishte kritika që mori në Izrael për mungesën e shenjës së shiritit të verdhë, simbol solidariteti me pengjet izraelite që ende i mban Hamasi në Gazë.
“Jam izraelite dhe krenare për këtë. Shkova në ‘Golden Globes’ për të dhënë një çmim. Por, në ato rrethana ka shumë bashkëpunime, marka të përfshira, dhe ishte e komplikuar. Nuk më dukej e drejtë ta mbaja atë shenjë në punë. Mund të ketë qenë gabim”, ka thënë tutje Gadot.
Ajo ka folur edhe për eksperienca personale, operacionin e papritur në tru në muajin mars të vitit 2024, rolin e saj që i dha famën botërore te filmi “Wonder Woman”, si dhe pendimin më të madh në karrierë, rolin tek seriali “Entourage”.
“E urreja xhirimin e ‘Entourage’. Nuk u kënaqa aspak. Një tip ishte i papërshtatshëm me mua në set derisa arriti në një pikë që lashë gjithçka dhe nuk u ktheva më”, ka thënë ylli, ndërkohë që ka shtuar se aktori Chris Pine “Wonder Woman” u pagua më shumë ani pse ajo luante rolin kryesor.
Kur u pyet nëse mendon se është aktore e mirë, ajo tha se mendon që është solide.
“Mendoj se jam solide, jam në rregull. Ka nga ata që janë më të talentuar se unë. Por nëse më merr në kast, ke bërë zgjedhje të mirë. Forca ime më e madhe është se nuk kam frikë nga puna e vështirë dhe nuk lejoj asgjë të më ndalojë. Thjesht vazhdoj, vazhdoj, vazhdoj”, ka thënë ndër të tjera Gadot.