Gjigandi “Walt Disney Pictures” ka përzgjedhur aktoren australiane në Teagan Croft dhe aktorin Milo Manheim për rolet kryesore të Rapunzelës dhe Flynn Riderit, për filmin live-action “Tangled”.

Croft do të interpretojë Rapunzelën, vajzën kureshtare dhe të guximshme me flokë magjikë, ndërsa Manheim do të luajë Flynn Riderin, hajdutin karizmatik dhe rebel që e ndihmon atë të arratiset nga kulla ku mbahet e mbyllur, ka raportuar The Hollywood Reporter.

Filmi po realizohet si adaptim live-action bazuar në filmin e famshëm të animuar të vitit 2010, i cili konsiderohet tashmë një klasik modern dhe pjesë e asaj që njihet si “rilindja e dytë” e animacioneve të “Disneyt”.
Regjinë e filmit do ta bëjë Michael Gracey, i njohur për projektet filmike “The Greatest Showman” dhe “Better Man”, ndërsa projekti do të ruajë elementët e fortë muzikorë që e bënë të famshëm filmin origjinal.
Producentja e filmit është Kristin Burr, e cila ka bashkëpunuar qe disa vjet me “Disneyn” dhe ka qenë producente edhe në filmat “Freakier Friday” dhe “Cruella”. Skenari është shkruar nga Jennifer Kaytin Robinson, e njohur për projektet filmike si “Do Revenge dhe Thor: Love and Thunder”. Kurse Lucy Kitada është producente ekzekutive.
Përzgjedhja e aktorëve vjen pas një procesi të gjatë kërkimi. “Disney” ka organizuar audicione në SHBA dhe Britani, ndërsa finalistët testuan rolet në Londër gjatë muajit dhjetor, pak para festave të fundvitit.

Teagan Croft dhe Milo Manheim marrin kështu vendin e aktorëve Mandy Moore dhe Zachary Levi, të cilët u kishin dhënë zërin personazheve në versionin e animuar.
Filmi origjinal pati sukses të madh, duke arkëtuar 591 milionë dollarë në mbarë botën dhe duke sjellë më pas edhe një serial të suksesshëm në Disney Channel.
Rolet pritet të kenë ndikim të madh në karrierën e dy aktorëve. Një film live-action i “Disneyt” ka potencialin të kthehet në sukses global me të ardhura miliardëshe, ashtu siç ndodhi së fundmi me filmin “Lilo & Stitch”. Por bashkë me famën vjen edhe presioni, pasi fansat që janë rritur me filmin e animuar “Tangled” kanë pritshmëri të larta.
Sipas burimeve, “Disney” ka qenë shumë i kujdesshëm në përzgjedhjen e kastit dhe nuk e ka nxituar procesin. Roli i radhës që do të plotësohet është ai i antagonistes Mother Gothel, për të cilën ishte përfolur emri i aktores Scarlett Johansson.
Teagan Croft është e njohur kryesisht për rolin e Raven në serialin “Titans”, i cili u transmetua nga viti 2018 deri më 2023. Ajo ka luajtur gjithashtu në filmin australian “True Spirit”, ku portretizoi Jessica Watson, vajzën e re që tentoi të përshkojë botën e vetme me varkë.
Milo Manheim, djali i aktores Camryn Manheim, u bë i njohur për talentin e tij muzikor në katër filmat e serisë “Zombies” të “Disney Channel”. Ai ka luajtur gjithashtu në serialin “School Spirits” në “Paramount+” dhe ka interpretuar rolin e Seymour në një rikthim teatror të “Little Shop of Horrors”.
Traileri i versionit të animuar të filmit "Tangled":