Showbiz

Filmat që lansohen gjatë muajit tetor

Filmi PLay Dirty

Me hyrjen në sezonin e vjeshtës po i lëmë pas filmat “Blockbuster” të verës, por ka shumë projekte kinematografike të mrekullueshme që pritet të lansohen në muajt në vazhdim. Tetori po ashtu sjell filma të të gjitha zhanreve, për shijen e secilit individ që zgjedh për t’i shikuar ata nëpër kinematë apo platforma të ndryshme digjitale.

I bazuar në serinë e librave të Donald E. Westlake, filmi i ardhshëm “Play Dirty” sjell në rolet kryesore aktorët, Mark Wahlberg dhe LaKeith Stanfield. Ata i portretizojnë dy kriminelë profesionistë, Parker dhe Grofield, të cilëve ju vjen mundësia ta kryejnë një vjedhje jashtëzakonisht të madhe, por për ta realizuar atë u duhet të përballen me një diktator të Amerikës Jugore, mafian e New Yorkut dhe me njeriun më të pasur në botë. Pjesë e kastit të aktorëve janë edhe, Keegan-Michael Key, Rosa Salazar, Chukwudi Iwuji, Nat Wolff, Thomas Jane dhe Tony Shalhoub, të cilët shfaqen gjithashtu në role dytësore. “Play Dirty” me regji të Shane Black, lansohet në platformën “Prime Video” më 1 tetor.

Duke lënë prapa imazhin e yllit të filmave “blockbuster”, Dwayne Johnson debutoi një anë tjetër të tij me filmin e ardhshëm biografik, “The Smashing Machine”, i cili sjell historinë e kampionit të Arteve të Përziera Marciale, Mark Kerr. Me regji të Benny Safdie, filmi shfaq rrugëtimin e Kerrit drejt famës në këtë fushë të sportit, vë në fokus lidhjen e tij me partneren, Daën Staples (e portretizuar nga Emily Blunt) dhe betejën e tij me abuzimin me substanca narkotike. Duke qenë projekti i parë regjisorial i Benny Safdie pa vëllain e tij, Josh, filmi po konsiderohet një triumf dhe është vlerësuar për një qasje humane ndaj biografive tradicionale sportive. Është më pak një biografi e shkurtuar dhe më shumë një studim karakteri gjatë periudhës më të trazuar të jetës dhe karrierës së Kerrit; gjithashtu është unik sepse zhvillohet vetëm gjatë tre viteve të jetës së tij, nga viti 1997 në 2000. “The Smashing Machine” lansohet nëpër kinematë botërore nga 3 tetori.

Filmi “Roofman” tregon historinë e Jeffrey Manchester, i njohur nga të gjithë si “hajduti i çatis”, i cili u burgos pas grabitjes së disa restoranteve të ushqimit të shpejtë. Ai nuk qëndroi shumë në burg, pasi në fillim të viteve 2000 u arratis në Charlotte dhe iu shmang kapjes nga autoritetet duke u fshehur në një dyqan “Toys R’ Us”. Pas ca kohe ai krijon një lidhje romantike me një grua në një kishë lokale dhe përfundon duke grabitur dyqanin e lodrave. Manchester në film portretizohet nga Channing Tatum, i cili i sjell shumë energji këtij krimineli të vërtetë. Krahas tij luajnë edhe aktorët, Kirsten Dunst, Ben Mendelsohn, LaKeith Stanfield, Juno Temple, Melonie Diaz, Uzo Aduba, Lily Collias, Jimmy O. Yang dhe Peter Dinklage. Roofman” është në dispozicionin e publikut nga 3 tetori.

“Kiss of the Spider Woman” e sjell Jennifer Lopezin me rolin e karrierës. Projekti i takon zhanrit mjuzikëll dhe vjen me regji të Bill Condon, i shpërblyer me “Oscar” dhe i njohur për filma muzikorë si “Chicago” dhe “Dreamgirls”. Filmi, historia e së cilit sillet rreth bisedave midis dy shokëve të qelisë në një burg argjentinas, ishte fillimisht një roman i shkruar nga Manuel Puig në vitin 1976 dhe gjatë vjetëve është adaptuar për skenë dhe ekran. Krahas Lopezit luan edhe ylli latin, Diego Luna. Ai e portretizon Valentínin, një i burgosur politik që ndan qelinë me Molinan, një dekorues vitrinash i burgosur për sjellje të pahijshme në publik. Valentin i shpëton realitetit të zymtë të burgut duke rrëfyer vazhdimisht ngjarjet e një muziklli glamuroz të Hollywoodit, ku luan diva e tij e preferuar e ekranit, Ingrid Luna, e portretizuar në film nga Lopez. “Kiss of the Spider Woman” fillon së shfaquri nëpër kinematë botërore nga 10 tetori.

“Black Phone 2” është një film krejtësisht ndryshe nga i pari. Është më i çuditshëm, më ambicioz dhe mbështetet fort në elementët klasikë të horrorëve të viteve ‘80. I vendosur katër vjet pas ngjarjeve të filmit të parë, i cili përfundoi me kryepersonazhin Finn duke shpëtuar nga kidnapuesi i tij, Grabber, “Black Phone 2” futet plotësisht në botën e të mbinatyrshmes dhe të ëndrrave. Duke qenë i vetmi që i mbijetoi Grabberit, Finni, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në shkollë ashtu si edhe motra e tij, Gwen, vizionet e së cilës ndihmuan në gjetjen e trupave të djemve të rrëmbyer. Mirëpo në vazhdimin e ri, ëndrrat e Gwenit marrin një kthesë tronditëse dhe më të errët. Ndërsa vizionet bëhen gjithnjë e më shqetësuese, Gwen, Finn dhe shoku i tyre Ernesto, ndjekin gjurmët për të zbuluar misterin e tre djemve që ishin vrarë vite më parë në liqenin “Alpine”. Kasta përbëhet nga aktorët, Mason Thames, Ethan Hawke, Madeleine McGraw, Miguel Mora dhe të tjerë. “Black Phone 2” lansohet nëpër kinema më 17 tetor.

Filmi i ardhshëm “Good Fortune” rrëfen historinë e dy personazheve, Arj, një punëtor që mezi ia del në jetë dhe Jeff, një burrë jashtëzakonisht i pasur. Por kur engjëlli Gabriel ndërhyn në realitetin e tyre, ata detyrohen ta jetojnë jetën përmes syve të njëri-tjetrit. Projekti i zhanrit komedi dhe fantazi vjen me regji dhe skenar të Aziz Ansarit, i cili po ashtu luan në film në rolin e Arj. Ylli i komedive Seth Rogen vjen në rolin e burrit të pasur dhe Keanu Reeves e portretizon engjëllin me qëllime të mira, por që shpesh shkakton kaos tek njerëzit me veprat e tij. Pjesë e kastës janë edhe yjet, Keke Palmer, Sandra Oh dhe Stephen McKinley Henderson. “Good Fortune” fillon shfaqjen nëpër kinema më 17 tetor.

Për rolin e tij të fundit, aktori i njohur hollywoodian, Colin Farrell, jep gjithçka. Fjala është për filmin e ardhshëm të Netflixit, “Ballad of a Small Player”, ku Farrell e portretizon një aristokrat të rremë që prezanton veten si Lord Doyle dhe jeton në Macau, kryeqytetin e lojërave të fatit në Azi. Kur përfundon në prag të përjashtimit nga hoteli për shkak se i detyrohet qindra mijëra dollarë, ai mbledh të gjitha paratë që ka dhe e provon sërish fatin në bixhoz, por përsëri humbet. Tani nuk ka asnjë ide se si do të gjejë paratë për të paguar borxhet e tij. Por problemet e Doylet nuk mbarojnë këtu. Një grua e përndjek kudo dhe kështu ai endet nëpër rrugët e Macaut i vetëdijshëm se koha e tij po mbaron. Krahas Farrellit në film luajnë edhe aktorët, Tilda Swinton, Fala Chen, Alex Jennings dhe të tjerë. “Ballad of a Small Player” nis së transmetuari në Netflix më 17 teteor.

“Regretting You” është bestselleri më i fundit i Colleen Hooverit që do të shfaqet në ekranin e madh, pas adaptimit filmik të vitit 2024 të “It Ends With Us”. Ai eksploron marrëdhënien e tensionuar midis nënës së re, Morgan Grant dhe vajzës së saj 16-vjeçare, Clara, veçanërisht pas vdekjes tragjike të bashkëshortit të Morganit, njëherësh babait të Claras, në një aksident me veturë e që zbulon një tradhti tronditëse. Të detyruara të përballen me sekretet familjare, ato duhet ta rindërtojnë dashurinë mes tyre dhe të rizbulojnë njëra-tjetrën. Një histori për rritjen, qëndrueshmërinë dhe vetëzbulimin, filmi sjell në rolet kryesore aktorët, Allison Williams, Mckenna Grace, Willa Fitzgerald, Scott Eastwood dhe Dave Franco, i cili e portretizon Jonan, të dashurin e ri të Morganit, pas humbjes së bashkëshortit. “Regretting You” lansohet për publikun e gjerë më 24 tetor.