Viti 2024 ka qenë më i mirë për fitimet në arkat filmike botërore, që nga goditja që Pandemia i bëri industrisë së filmit. Si duket kinemave po i kthehen shikuesit dhe kjo falë disa projekteve të lansuara që kanë arritur të sheshin bileta në numër të madh dhe të arkëtojnë miliarda e qindra miliona dollarë.
Listën, si filmi më fitimprurës i vitit 2024 e kryeson “Inside Out 2”. Ai ka arritur të shpallet kampion me gjithsej 1.6 miliardë dollarë të arkëtuara nëpër kinema. Filmi i animuar, i cili për t’u realizuar kushtoi rreth 200 milionë dollarë, është vazhdim i projektit të parë dhe e rikthen në ekran kryepersonazhin, Riley, e cila futet të fazën e pubertetit dhe fillon të përjetojë emocione të reja dhe më komplekse. Regjinë e filmit e ka bërë Kelsey Mann, derisa zërat për rolet kryesore i kanë huazuar aktorë të tillë si, Amy Poehler, Maya Hawke, Kensington Tallman dhe të tjerë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFilmi i dytë i vitit 2024 për nga shikueshmëria është “Deadpool & Wolverine”. I realizuar me një buxhet prej 200 milionë dollarësh, projekti i fundit që i ktheu në ekran dy superheronjtë e dashur nga publiku, ka arritur t’i arkëtojë gjithsej 1.3 miliardë dollar nga shitja e biletave. Në këtë vazhdim të ri, kryepersonazhit Deadpool i ofrohet një vend në Universin Kinematik Marvel nga Time Variance Authority, por në vend të kësaj ai e rekruton superheroin kontrovers, Wolverine, për të shpëtuar universin nga zhdukja. Shawn Levy e ka bërë regjinë e projektit në të cilin luajnë aktorët yje të Hollywoodit: Ryan Reynolds, Hugh Jackman, Emma Corrin, Morena Baccarin, Rob Delaney, Leslie Uggams, Karan Soni dhe Matthew Macfadyen.
Në vendin e tretë radhitet filmi shumë i dashur nga fëmijët, “Despicable me 4”. Nga shfaqja nëpër kinematë anekënd botës, ky projekt ka arritur të shes bileta në vlerë prej 969 milionë dollarësh. Në vazhdimin e katërt të filmit të studios “Universal Pictures”, kryepersonazhet Gru, Lucy, Margo, Edith, dhe Agnes e mirëpresin një anëtar të ri në familje, Gru Jr., i cili ka për qëllim të mundojë babanë e tij. Gru përballet me një armik të ri, Maxime Le Mal dhe të dashurën e tij Valentina, dhe familja detyrohet të shkojë në arrati. Regjinë e tij e kanë bërë Chris Renaud dhe Patrick Delage, kurse zërat për personazhet kryesore i kanë huazuar aktorët yje, Steve Carell, Kristen Wiig dhe Pierre Coffin.
Një tjetër filmi i animuar ka arritur të jetë pjesë e top-pesëshes së filmave më të shikuar dhe më fitimprurës për vitin 2024, dhe ai është “Moana 2”. Vazhdimi i dytë në serinë e filmave shumë të dashur familjarë, pozicionohet në vendin e katërt me 807 milionë dollarë të fituara në arkat filmike botërore. Ai e rikthen në ekran historinë e Moanas, e cila pasi pranon një thirrje të papritur nga paraardhësit e saj, detyrohet ta nis një rrugëtim të ri në detëra të largëta dhe të rrezikshme, për një aventurë ndryshe nga ajo që ka përjetuar më parë në jetën e saj. Regjinë e tij e kanë bërë, David G. Derrick Jr., Jason Hand dhe Dana Ledoux, ndërsa pjesë e kastës së aktorëve janë: Auli’i Cravalho, Dwayne Johnson, Hualalai Chung dhe të tjerë.
I pesti në listë renditet filmi “Dune: Part Two”, me gjithsej 714 milionë dollarë të fituara nga shfaqja nëpër kinematë botërore. Filmi i adaptuar nga romani fantastiko-shkencor i Frank Herbertit, u realizua nga regjisori i famshëm dhe vizionar, Denis Villeneuve. Në këtë vazhdim të dytë, kryepersonazhi, Paul Atreides, rikthehet më i pjekur dhe më i guximshëm se kurrë. Ai tashmë e ka filluar një jetë të re në mesin e njerëzve nga shkretëtira, si dhe e ka ndërtuar një raport më të afërt me luftëtaren Chani. Artreides synon të marr hak kundër komplotistëve që shkatërruan familjen e tij dhe kështu detyrohet të përballet me një zgjedhje midis dashurisë së jetës dhe fatit të universit. Në rolet kryesore edhe njëherë vijnë aktorët e famshëm të Hollywoodit, Timothée Chalamet, Zendaya dhe Rebecca Ferguson.
Në top-dhjetëshe për nga shikueshmëria nëpër kinematë botërore përfshihen edhe filmat, “Wicked” me 581 milionë dollar të arkëtuara, “Godzilla x Kong: The New Empire” me 572 milionë dollar të fituara, “Kung Fu Panda 4” me shitje të biletave në vlerë prej 548 milionë dollarësh, “Venom: The Last Dance” me arkëtimin e 475 milionë dollarësh dhe “Beetlejuice Beetlejuice” me gjithsej 451 milionë dollarë të fituara.