Aktorët e famshëm, Jennifer Lawrence dhe Josh Hutcherson, raportohet se do të rikthehen në franshizën e filmave “Hunger Games”, në parathënien e shumëpritur për filmin shumë të pritur që do të dalë vitin e ardhshëm, ka raportuar BBC.
Dyshja u shfaq për herë të fundit së bashku në “Mockingjay, Part 2”, filmi që mbylli franshizën origjinale.
Sipas The Hollywood Reporter dhe Deadline, Lawrence, 35 vjeç, do të rikthehet në rolin e Katniss Everdeen, ndërsa Hutcherson, 33 vjeç, do të luajë sërish rolin e Peeta Mellark në filmin e ri “The Hunger Games: Sunrise on the Reaping”.
Raportohet se të dy aktorët do të shfaqen në një skenë “flash-forward”, e cila ndodhet edhe në romanin mbi të cilin bazohet filmi.
Kompania e prodhimit, “Lionsgate”, nuk ka komentuar.
Lawrence, e cila u bë e famshme botërisht si Katniss, ka thënë më herët se do të ishte “krejtësisht” e gatshme të kthehej në këtë rol.
Ndërsa muajin e kaluar, Hutcherson i ka thënë revistës Variety se do të “ishte aty përnjëherësh” nëse do t’i kërkohej të rikthehej.
“Nuk do të duhej asnjë bindje fare”, ka thënë ai.
Fansat e “Hunger Games” kanë reaguar me entuziazëm ndaj lajmit se personazhet e dashur do të kthehen sërish në ekran.
“Për ata që s’janë fansa të Hunger Games, kjo është si rikthimi i Rihannës në muzikë”, ka shkruar njëri prej tyre.
Një tjetër ka komentuar: “Është njësoj si Jezusi të kthehej në Tokë”.
Megjithatë, disa u shprehën të zhgënjyer që informacioni u zbulua kaq herët, duke thënë se mund të ishte ruajtur si befasi “emocionale”.
“The Hunger Games: Sunrise on the Reaping” pritet të dalë në kinema në muajin nëntor të vitit 2026 dhe përfshin në kast edhe McKenna Grace, Maya Hawke dhe Ralph Fiennes.
Libri me të njëjtin titull nga autorja Suzanne Collins ka shitur më shumë se 1.5 milion kopje në mbarë botën vetëm gjatë javës së parë të publikimit, debutimi më i madh për një prej librave të saj.
Franshiza “Hunger Games” ka arritur të mbledhë rreth 3.3 miliardë dollarë në arkat filmike, që nga publikimi i filmit të parë në vitin 2012, ndërsa së fundmi është lansuar edhe një prodhim teatror.