Showbiz

Familja e Bruce Willis: Gjithmonë ka synuar t’i argëtojë njerëzit

Bruce Willis

Bruce Willis

Foto: Associated Press

Aktori 70-vjeçar, i cili në vitin 2022 u diagnostikua me një sëmundje që ndikon në të menduarit, kujtesën dhe aftësitë e arsyetimit, ka thënë se dëshira e tij kryesore ka qenë gjithmonë të sjellë lumturi te miliona njerëz përmes projekteve të tij në film dhe televizion.

“Nuk e di nëse ai ndonjëherë ka reflektuar mbi trashëgiminë e tij. Nuk mendoj se është ndalur ndonjëherë për të menduar kush është apo çfarë ka arritur. Ai gjithmonë ka shijuar të jetë aktor dhe të argëtojë njerëzit”, ka thënë gruaja e tij, Emma Heming Willis, 47-vjeçare.

Emma, e cila u martua me yllin e “Die Hard” në një ceremoni në bregdetin e Turks dhe Caicos në vitin 2009, shton se natyra e thjeshtë e Bruce ishte arsyeja pse u dashurua me të, pasi u njohën në një palestër të përbashkët me trajnerin personal në vitin 2007.

“Ai e donte vërtet këtë punë. Ishte pasioni i tij. Kjo është arsyeja pse e dua. Ai gjithmonë ka qenë kaq i përulur” tha ajo.

Bruce arriti famë globale në vitet 1980 me serialin komedi-dramë të ABC-së, Moonlighting, ku luante rolin e David Addison Jr. Më pas ai u shqua në blockbustere të mëdha, përfshirë Pulp Fiction (1994), Armageddon (1998) dhe The Sixth Sense (1999).

Ai u tërhoq nga aktrimi në vitin 2022, pas diagnostikimit me afazi, e cila më vonë u zhvillua në demencë frontotemporale (FTD) një grup sëmundjesh të trurit që ndikojnë në personalitet, sjellje dhe gjuhë.

Vajza e tij më e madhe, Rumer Willis, 37 vjeçe, ka treguar se babai i saj nuk e njeh kur ajo e viziton, megjithatë ndjehet “shumë e lumtur dhe mirënjohëse” që mund ta përqafojë.

Në një video të shpërndarë në Instagram, Rumer tha: “Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse që ende mund ta shkoj dhe ta përqafoj. Jam mirënjohëse që, pavarësisht nëse më njeh apo jo, ai mund të ndjejë dashurinë që po i jap, dhe unë mund ta ndjej tek ai. Ende shoh një shkëndijë të tij dhe ai ndjen dashurinë që po i jap. Kjo është një ndjesi shumë e bukur.”

Rumer, e cila ka një vajzë dyvjeçare, Louetta, tha se Bruce “po ecën mirë” në betejën e tij me këtë sëmundje neurodegjenerative progresive.

Bruce ka tre vajza me Demi Moore: Rumer, Scout (34) dhe Tallulah (31), dhe dy vajza të tjera me Emma: Mabel (13) dhe Evelyn (11).