Këngëtarja e hitit “Houdini” ka bërë emër me klubin e saj të leximit online “Service 95”. E tani intervistat e saj me autorë fitues të çmimit “Pulitzer” po fitojnë gjithnjë e më shumë adhurues të rinj
Dua Lipa di të bëjë shumë gjëra. Ajo këndon, vallëzon, shkruan tekste të suksesshme dhe ka bashkëpunuar në koleksion veshjesh me disenjatoren e njohur, Donatella Versace. Por nëse dikush do të thoshte se ajo po konsiderohet si “intervistuesja më e mirë letrare” ndoshta do të mendohej se teksti i këngës së saj “Hallucinate” (‘Halucinoj’) është marrë shumë seriozisht.
Megjithatë, në një video në platformën YouTube që ka marrë mbi një milion shikime brenda disa javësh po mbështetet kjo ide në mënyrë befasuese.
“Isha duke bërë kërkime për një ese me video mbi cilësinë e intervistave letrare në vende të ndryshme”, ka treguar shkrimtari Blake Lefray, i cili krijoi videon për kanalin e tij të sapolansuar. Ai hasi në intervistën e Dua Lipës me Hernan Diazin, autorin fitues të çmimit “Pulitzer” për romanin “Trust”, dhe mbeti “gojëhapur”.
Intervista e Dua Lipës me Diazin:
“E kisha parë Diazin të intervistohej nga shumë gazetarë dhe prezantues televizivë, por intervista me Duan ishte padyshim më e mira. Në fillim mendova se ta shpallja Duan si intervistuesen më të mirë të romancierëve do të ishte një ‘click-bait’ absurd, por sa më shumë intervista të saj që shikoja, aq më shumë e kuptoja se për mua personalisht, ajo është më e mira për momentin. Ajo bën pyetje të zgjuara, të ngjyrosura me ndjeshmëri dhe kuriozitet”, ka thënë Lafrey tutje.
Në intervistën me Diazin, Lipa e pyet nëse një prej personazheve të romanit të tij është frymëzuar nga një gazetare hulumtuese që ndihmoi në shpërbërjen e “Standard Oilit” të Rockefellerit, një referencë që Diazi nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë dhe mbeti i habitur. Ndërsa me nobelisten Olga Tokarczuk, biseda kalon në një diskutim të gjatë mbi rëndësinë e William Blakeit si figurë anti-pushtet në Poloninë komuniste. Me autorin George Saunders, intervista prek procesin e të shkruarit pa gjykim në draftin e parë dhe përfundon me Saundersin, pak i emocionuar, duke e pyetur Duan se si ishte ndjesia të performonte në festivalin “Glastonbury”.
Në një artikull të fundit të mediumit prestigjioz “The Guardian”, intervistat e Dua Lipës nuk janë pyetje standarde që zakonisht dëgjohen në intervistat me autorë. Në emisionet e orëve të vona, zakonisht pyetjet janë sipërfaqësore, Jimmy Fallon për shembull e nis gjithmonë me ndonjë version të pyetjes “Si ndihesh që ke shkruar një bestseller?”, ndërsa Seth Meyers e kaloi një pjesë të intervistës me Diazin duke folur për stilolapsin që ai përdor për të shkruar me dorë.
Pra, si ia del Dua Lipa?
Së pari, ajo duket se lexon shumë. Në një fjalim në ndarjen e çmimeve “Booker 2022”, ajo ka treguar se si ka mësuar për “frymën e rezistencës shqiptare” përmes veprës së Ismail Kadaresë kur ishte adoleshente.
Intervistat i realizon në kuadër të klubit të leximit të faqes së saj “Service95”. Edhe pse dikush mund të mendojë se është një mënyrë për të ndërtuar imazhin e saj dhe për të përfituar financiarisht (si Reese Witherspoon, Dakota Fanning apo Oprah), Lipa kishte nisur një klub privat leximi me shoqet qysh në vitin 2019.
Ajo postonte rekomandime librash në Instagram shumë përpara se të krijonte “Service95”, dhe raftet e saj personale, shpesh të dukshme gjatë intervistave, janë plot me libra të pazakontë, duke filluar nga “The Story of Art Without Men”, i autores Katy Hessel, e deri te “Rap Capital” i autorit Joe Coscarelli.
“The Guardian” ka shkruar se ndoshta, duke qenë vetë një artiste që është intervistuar qindra herë, ajo i njeh mirë pyetjet që duhen bërë dhe ato që duhen shmangur, dhe e di se çfarë e bën një intervistë të mirë. Nuk është e qartë nëse ajo i shkruan vetë pyetjet (përfaqësuesit e saj nuk kanë komentuar), por shfaq njohuri për materialin: i di personazhet dytësore dhe linjat anësore të rrëfimit, dhe asnjëherë nuk e kap paniku kur biseda rrëshqet në një drejtim të papritur.
Por mbi të gjitha, ndoshta Lipa është një intervistuese e shkëlqyer sepse i lexon librat ashtu siç do të donin vetë autorët: me qasje të sinqertë, përjetim të thellë dhe kërshëri të pastër. Dhe sipas “The Guardian”, kjo e bën të mundur që ajo të nxjerrë biseda të vërteta e kuptimplota, ndërkohë që, po, ka shkruar edhe këngën “Houdini”.