Një darkë që duhej të ishte e qetë dhe private për shqiptaren me famë botërore, Dua Lipa, dhe të fejuarin e saj, aktorin Callum Turner, përfundoi në një situatë të pakëndshme në Paris.
News18 ka raportuar se çifti u pa duke dalë nga një restorant, por sapo dolën jashtë, u rrethuan nga paparacët.
VIDEO:
Dua Lipa and Callum Turner call out Paparazzi for following them around Paris.
— 🏁 (@concertleaks) February 10, 2026
pic.twitter.com/OJsBaZRsGr
Sipas një videoje që po qarkullon në rrjete sociale, Turner ishte i pari që doli dhe priste Lipën. Fotografët u grumbulluan te hyrja dhe nisën të bëjnë fotografi.
Aktori u dëgjua duke u kërkuar me mirësjellje të ndalonin, duke thënë disa herë se “kjo nuk është në rregull”.
Megjithatë, sapo Lipa doli nga restoranti, kamerat nisën të shkrepnin pa pushim.
“Jo, jo, jo, nuk po e bëjmë këtë”, dëgjohet të thotë këngëtarja.
Ylli, e veshur me një pallto me gëzof mbi një bluzë të gjelbër dhe pantallona të zeza, dukej e shqetësuar.
Paparacët nuk u ndalën së fotografuari atë.
Njëri prej tyre u tha “na jepni një foto dhe pastaj ju lëmë të qetë”, ndërkohë që një tjetër shtoi se “nuk po ju ndjekim”.
Një fotograf tjetër kërkoi vetëm “një minutë”, duke premtuar se më pas do të largoheshin.
Ndërkohë, Turner dukej i irrituar, ndërsa Lipa u përpoq të mbulonte fytyrën me dorë.
Një paparac i kërkoi ta hiqte dorën, por ajo nuk pranoi.
Në një moment, Turner e tërhoqi kapuçin mbi kokë ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga turma.
Kur makina e tyre nuk dukej askund, ata ndryshuan drejtim, por fotografët vazhduan t’i ndiqnin dhe t’u bërtisnin duke ju kërkuar vazhdimisht t’ju bënin fotografi.
E frustruar, Lipa u dëgjua duke thënë me zë të lartë “a mund të largoheni, ju lutem?”.
Situata u përkeqësua aq shumë sa u desh ndërhyrja e sigurimit të restorantit. Rojet u panë duke u përpjekur të bllokonin kamerat dhe të shoqëronin çiftin përgjatë trotuarit për të krijuar distancë mes tyre dhe fotografëve.
Pas publikimit të videos, shumë përdorues në rrjete sociale kritikuan ashpër paparacët.
“Kjo nuk është gazetari, është ngacmim me kamera. Ata po u bërtasin njerëzve të largohen dhe prapë rrethohen. Kur ndalon së qeni ‘pjesë e punës’?”, ka shkruar një komentues.
Një tjetër ka shkruar se “Paparacët vërtet nuk i shohin të famshmit si njerëz, por vetëm si mënyrë për të fituar para”.
Ndërsa një person tjetër ka shtuar se “duhet të jetë e vështirë të jetosh gjithmonë nën vëzhgimin e publikut”.
Incidenti ka ndodhur në një periudhë të rëndësishme për çiftin, i cili ka konfirmuar fejesën në muajin korrik të vitit 2025 dhe po përgatitet për martesën.
Pak para kësaj, Lipa kishte ndarë në Instagram disa fotografi nga udhëtimi i saj në Francë, duke treguar momente të bukura nga qëndrimi atje.