Dua Lipa të premten surprizoi fansat me paraqitje e grupit Jamiroquai gjatë koncertit të saj të parë ndonjëherë në stadiumin legjendar “Wembley” në Londër, shkruan BBC.
Ylli shqiptar ftoi në skenë këngëtarin e njohur të grupit, Jay Kay, për një performancë unike të hitit të vitit 1996 “Virtual Insanity”, duke e përshkruar atë si “novator të jashtëzakonshëm të muzikës britanike”.
Ky duet ndodhi në mes të një koncerti madhështor dyorësh, ku Lipa interpretoi një varg hitesh të njohura si “Physical”, “One Kiss”, “New Rules” dhe “Levitating”.
“Kjo është arritje gjigante për mua. Që nga fillimi i koncertit kam pasur ngërç në fyt nga emocionet”, u tha ajo 70 mijë fansave të pranishëm.
Disa prej fansave kishin qëndruar në stadium që nga e enjtja për të zënë vend në koncertin e parë të Lips në një stadium britanik, duke i përballur temperatura që shkoni mbi 31 gradë Celsius.
“Do të thotë jashtëzakonisht shumë për mua që jeni këtu sonte. Ndjej sikur kam pritur gjithë jetën për këtë moment”, u shpreh ajo gjatë performancës.

“Kanë kaluar 10 vjet që nga koncerti ynë i parë në Londër, përpara rreth 350 njerëzve, dhe atëherë kam ëndërruar për një natë si kjo. “Të jem përballë 70,000 vetave... jam e mbushur plot emocione”, shtoi 29-vjeçarja, duke reflektuar mbi ngjitjen e saj drejt majave të muzikës pop.
Më pas ajo interpretoi një nga këngët e saj të para, “Hotter Than Hell”, duke treguar se ishte pikërisht ajo që i siguroi një kontratë diskografike.
Që nga ajo kohë, Lipa ka ndërtuar një repertor të pasur me hite të fuqishme, shumica e të cilave u interpretuan gjatë koncertit të së premtes.
Dua Lipa do të vazhdojë turneun Radical Optimism me një natë të dytë në Wembley të shtunën (sonte), ndjekur nga koncerte në Liverpool dhe Londër, përpara se të nisë pjesa amerikane e turneut në shtator.