Showbiz

Dua Lipa dhe Callum Turner po kërkojnë shtëpi pushimi

Dua Lipa

Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa dhe i fejuari i saj, aktori britanik Callum Turner, po planifikojnë të blejnë një shtëpi pushimi për t’u relaksuar me familjen dhe miqtë e tyre.

“Dua dhe Callum janë duke kërkuar një vend të qetë dhe me diell ku të mund ta shijojnë kohën me familjet e tyre. Preferenca e tyre është e qartë: mot i mirë dhe prona me hapësirë. Kanë angazhuar një njeri që po kërkon shtëpi në Portugali dhe Andalusi, zona që kanë mot të mrekullueshëm gjatë gjithë vitit”, ka treguar një burim për The Sun.

Sipas të njëjtit burim, shtëpia duhet të ketë hapësirë të mjaftueshme për çiftin, por edhe për familjarët dhe miqtë që do t’i vizitojnë.

“Dua dhe Callum kanë buxhet të mjaftueshëm. U janë ofruar prona nga 3 deri në 9 milionë funte britanike, përfshirë vila gjigante afër detit dhe një kompleks i madh në kodrat e Marbellës. Ata janë duke i parë me kujdes të gjitha opsionet dhe pritet që së shpejti të arrijnë marrëveshje”, ka thënë tutje burimi.

Ndërkohë, vetë Lipa ka rrëfyer së fundmi se ndihet më e lumtur se kurrë pas fejesës.

“I dua dashuritë. Është diçka e bukur, shumë frymëzuese. E gjen veten duke iu nënshtruar ndjenjave, në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo ndjesi të bën të ndihesh i pambrojtur, dhe është e frikshme, por unë ndihem me fat që e përjetoj. Kam kaluar shumë kohë duke qenë e mbyllur dhe duke mbrojtur zemrën time, por tani po e lë veten të lirë. Nëse duhet të lëndohem, atëherë ashtu do të ndodhë. Thjesht duhet ta lejoj dashurinë të rrjedhë”, pati thënë ajo në intervistë për Harper’s BAZAAR.

Këngëtarja ka shtuar se tani ndihet më e qetë duke folur edhe për jetën e saj private.

 “Jam më e lumtur se kurrë, dhe më duket sikur do të ishte padrejtësi të mos flisja për këtë. Kur je person publik, gjithçka që është personale është edhe shumë e ndjeshme. Nuk është se nuk dua ta ndaj, por tani më duket më natyrshëm”, ka thënë ndër të tjera ylli.