Showbiz

Dua dashuron dashurinë

Dua Lipa, fotografi nga Anthony Seklaoui për Harper's Bazaar

Dua Lipa, fotografi nga Anthony Seklaoui për Harper's Bazaar

Gazetarja e prestigjiozes Harper's Bazaar, Kaitlyn Greenidge, ka thënë se në Munih mbizotëronte një atmosferë feste, vetëm një ditë pasi ekipi i futbollit, Paris Saint-Germain, fitoi finalen e Ligës së Kampionëve dhe shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, mbajti një koncert madhështor me mbi 15 mijë fansa.

Greenidge, ka treguar se kur arriti në Mynih, pas një fluturimi të natës nga Bostoni, teksa kalonte doganën në orën 7 të mëngjesit, ka parë një agjent të lodhur të ulur në karrige, i cili e ka pyetur për qëllimin e vizitës.

“Nga gjumi i thellë, mund të thosha vetëm: ‘Dua Lipa’ dhe ai më tha: ‘Ah’, duke u përkulur përpara e duke shtuar ‘natyrisht, Dua Lipa’, dhe më lejoi të kaloja”, ka shkruar Greenidge.

Edhe në këtë intervistë Lipa ka folur për rrënjët e saj kosovare dhe ndikimin që ka pasur familja në formimin e saj si artiste dhe si njeri.

Ajo ka treguar se si prindërit e saj u larguan nga Kosova gjatë luftës për të kërkuar një jetë më të sigurt, dhe ajo u rrit mes librave dhe muzikës në Londër deri në moshën 11-vjeçare, kur u kthye në Kosovë para se të shpallej pavarësia.

Lipa ka folur për lidhjen e fortë që ka me familjen duke përmendur edhe gjyshin e saj historian, i cili e frymëzoi të durojë dhe të vlerësojë dijen dhe historinë e vendit të saj.

“Historia e familjes sime më ka mësuar të vlerësoj çdo mundësi për të jetuar plotësisht dhe për të ndjekur pasionet e mia”, ka thënë Lipa, duke nënvizuar rëndësinë e rrënjëve dhe kulturës së saj në krijimtarinë dhe vendimet që merr në karrierë.

E njohur në mbarë botën që nga albumi “Future Nostalgia”, të cilin e ka publikuar në vitin 2020 e i cili u bë hit global gjatë pandemisë me këngë si “Levitating”, “Don’t Start Now” dhe “Break My Heart”,  Lipa sot është një nga emrat më të mëdhenj të muzikës pop.

Billboard, e shpalli “Levitating” këngën më të madhe të shekullit nga një artiste solo.

Në koncertin e saj në Munih, Lipa, e cila edhe dy ditë do të bëhet 30 vjeçe, performoi në mënyrë spektakolare, duke vallëzuar mes flakëve, duke kënduar mbi një strukturë gjigante dhe madje duke u ngritur mbi publik.

“Ajo është bërë për skenën. Është ngjitëse. Mund ta bëjë një audiencë të tërë të kërcejë sikur të ishte klub, me atë zërin e saj pak të ngjirur që unë e dua”, ka thënë miku i saj, regjisori, Pedro Almodóvar.

Para koncertit, Lipa ishte e qetë në dhomën e saj të zhveshjes, veshur thjesht me rroba sportive.

Ajo ka treguar se gjithmonë përfshin këngë lokale në çdo qytet ku performon.
Në paraqitjen e saj në fillim të këtij muaji në festivalin Sunny Hill, kur ishte në Prishtinë, ajo bashkë me babin e saj, performuan këngën “Era” nga grupi i mirënjohur “Gjurmët”.

Kurse në Munih, ajo interpretoi “Forever Young” të Alphaville, e në Pragë këndoi në çekisht me këngëtaren Ewa Farna, një performancë që shkoi menjëherë në vend të parë në platformën Spotify në Çeki.

“Ka një moment kur zbres mes publikut, dhe ajo pjesë e imja nuk është e njëjta me atë që thjesht këndon e vallëzon. Kur këndoj, ndihem shumë e fuqishme. Sallat bëhen më të mëdha, por unë dua t’i bëj ato të ndihen të vogla”, shprehet Lipa.

Ani pse shpesh në rrjetet sociale duket si “vajzë që gjithnjë ndodhet në pushime”, Lipa është në një turne të madh me mbi 80 koncerte në 41 qytete.

“Duhet të jesh shumë i qëllimshëm për atë që krijon. Duhet të mbash vijën drejt dhe të bësh diçka pozitive”, ka thënë ajo.

Përveç muzikës, ajo drejton edhe platformën tashmë të mirënjohur Service95, përmes së cilës, funksionin edhe grupi i lexuesve dhe podkasti. 
Përmes platformës në fjalë Lipa sjell edhe kultura, ide dhe histori frymëzuese nga mbarë bota.

Lipa, në kuadër të Service95, ka intervistuar personalitete si Patti Smith, Tim Cook e Pedro Almodóvar. 
Pyetjet e saj shpesh janë të drejtpërdrejta, madje ajo e ka pyetur shefin e kompanisë “Apple” nëse ai “garanton që kobalti në iPhone 15 nuk është nxjerrë nga puna e fëmijëve në Kongo?”

Në thelb, Lipa mbetet një artiste që kombinon fuqinë e pop-it me thjeshtësinë dhe sinqeritetin, duke e bërë muzikën dhe jetën e saj të duket një ftesë për t’u gëzuar bashkë me të.

Shqiptarja beson fuqishëm se arti i saj ka ndikim.

“Duhet të kesh qëllim në atë që krijon. Duhet vazhduar drejt në mënyrë që të krijosh diçka pozitive”, ka thënë ajo.

Ylli ka treguar se çdo gjë që shkruan ndikon drejtpërdrejt në jetën e saj.

“Besoj fort që gjithçka që shkruaj bëhet realitet. Prandaj jam gjithmonë shumë e kujdesshme me fjalët. Nuk dua të lëshoj ndonjë energji të çuditshme në botë”, ka thënë ajo.

Artistja e quan veten një “mendimtare kronike”, por kjo, sipas saj, e ndihmon të jetë e sinqertë në muzikë.

“Kur publikoj një këngë e e dëgjon bota, ajo nuk më përket më mua. Ti krijon diçka që e do, ia jep publikut, dhe pastaj janë njerëzit që zgjedhin ta dëgjojnë”, ka thënë ajo.

Sipas saj librat i lejojnë njerëzit të ngadalësojnë pak ritmin e jetës.

“Leximi të hapë drejt botës dhe ta bën botën më të vogël”, ka treguar ajo për pasionin që ka.

Lipa është e dashuruar në dashurinë.

“Jam më e lumtur se kurrë, prandaj do të ishte gabim të mos flisja për këtë. Unë e dua dashurinë. Është gjë e bukur. Ajo lloj ndjeshmërie është e frikshme, por ndihem me fat që e përjetoj. Duhet thjesht ta lejoj dashurinë të rrjedh”, ka thënë ajo.

Konceptin e të menduarit shumë thellësisht për çdo gjë,ajo e konsideron si dhuratë.

“Ti mendosh gjërat thellësisht është dhuratë. Çdo ditë po krijoj diçka që tingëllon krejt ndryshe nga ajo e djeshmja. Përpiqem të gjej drejtimin e ri, kjo është pjesa më argëtuese, por edhe më e vështira”, ka thënë ajo.