Reperi kanadez, Drake, ka apeluar vendimin e gjykatës që hodhi poshtë padinë e tij për shpifje kundër Universal Music Group (UMG), lidhur me këngën e rivalit të tij, Kendrick Lamar “Not Like Us”, ku ai përmendë kanadezin si “certified pedophile” (“pedofil i certifikuar”), ka raportuar Billboard.
Vendimi për apel, i dorëzuar të mërkurën, është hapi i parë për të tentuar ta kthejë çështjen në gjykim. Më herët këtë muaj, gjykatësja federale Jeannette Vargas e kishte rrëzuar padinë, duke theksuar se fjalët e Lamarit ishin “hiperbolike dhe figurative”, pra jo fakte që mund të interpretohen si shpifje.
“Fansat nuk presin raportim të saktë faktik nga një këngë “diss” e mbushur me fyerje, kërcënime dhe gjuhë të zjarrtë”, ka shkruar Vargas në vendimin e saj.
Ajo ka shtuar se “në kontekstin e një ‘lufte me fjalë’ mes dy reperëve, asnjë dëgjues i arsyeshëm nuk do ta merrte seriozisht akuzën se Drake është pedofil”.
Megjithatë, avokatët e Drakeut këmbëngulin se “miliona njerëz në mbarë botën e kuptuan tekstin si pohim faktik”, duke besuar se kënga nënkuptonte “prova të fshehta” për një krim të mundshëm.
Ata e akuzojnë UMG se “përhapi një narrativë të rreme e keqdashëse kundër artistit”.
“Ky apel konfirmon synimin tonë për ta çuar rastin më tej, dhe presim që Gjykata e Apelit ta shqyrtojë së shpejti”, ka thënë një përfaqësues i Drakeut për Billboard.
Nëse apelimi pranohet, çështja mund të zgjatet për vite me radhë dhe të rikthehet në gjykatë për hetime të reja dhe ndoshta një gjyq me juri.
Kënga “Not Like Us”, e publikuar në maj 2024 gjatë përplasjes së famshme mes dy artistëve të UMG-së, u kthye në hit global dhe fitoi pesë çmime “Grammy”, përfshirë “Këngën e Vitit” dhe “Incizimin e Vitit”.