Showbiz

Djimon Hounsou akuzon ish-partneren për dhunë në familje

Djimon Hounsou

Djimon Hounsou

Foto: Associated Press

Aktori i njohur, Djimon Hounsou, ka akuzuar ish-partneren e tij, Riza Simpson, për dhunë në familje. Simpson është arrestuar javën e kaluar nga Policia e Atlantës dhe është akuzuar për sulm, dhunë familjare, si dhe për pengim të policisë.

Sipas autoriteteve, arrestimi lidhet me një incident të dyshuar më datën 2 të muajit dhjetor të vitit 2025, i cili thuhet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje për kushtet e banimit të Simpson në shtëpinë e aktorit, ka raportuar FemaleFirst.

Në raportin policor, të siguruar nga Entertainment Weekly, Djimon Hounsou ka deklaruar se Riza Simpson e ka goditur në fytyrë, pasi ajo ishte “njoftuar të largohej nga banesa, pasi ai nuk dëshironte më që ajo të jetonte aty”.

Në dokument thuhet se aktori ka sqaruar se Simpson ka jetuar në shtëpinë e tij prej rreth tre deri në katër vjet dhe se së bashku kanë dy fëmijë.

“Z. Hounsou ka deklaruar se pasi i ka kërkuar znj. Simpson të largohej, ajo u zemërua dhe qëndroi pranë derës së shoferit të veturës së tij, brenda garazhit, për të marrë çelësat e shtëpisë, ndërkohë që ai po përpiqej të largohej,” thuhet në raport.

Sipas deklaratës së aktorit, situata më pas u përshkallëzua.

“Z. Hounsou ka deklaruar se znj. Simpson filloi ta godiste në fytyrë me grusht, duke i shkaktuar skuqje dhe ënjtje të lehtë në syrin e majtë”, thuhet në deklaratë.

Ai gjithashtu ka theksuar se kohët e fundit kishte kryer një operacion në sy dhe se goditja kishte ndodhur pikërisht në syrin e operuar.

“Z. Hounsou u largua nga shtëpia dhe shkoi në stacionin policor të zonës 2 për të raportuar incidentin”, thuhet më tej në raport.

Policia ka konstatuar se aktori 61-vjeçar kishte pësuar “mavijosje dhe/ose ënjtje”. Fëmijët e tij ndodheshin në katin e sipërm të shtëpisë në momentin e incidentit dhe “nuk e kanë parë ngjarjen, por është e mundur që ta kenë dëgjuar”.

Hounsou, i njohur për rolet e tij në filma si “Gladiator” dhe “Blood Diamond”, ka një djalë 16-vjeçar, Kenzo, me yllin e njohur të modës, Kimora Lee Simons, si dhe një djalë dhe një vajzë me Riza Simpson, të cilët janë mbajtur larg vëmendjes publike.

Policia i ka dhënë aktorit udhëzime se si të kërkojë një urdhër mbrojtjeje të përkohshëm dhe e ka informuar për procedurat ligjore të largimit nga banesa në atë qark.

Akuza për pengim ndaj Simpson lidhet me pretendimet se ajo ka “dhënë informacione të rreme dhe ka refuzuar të zbatojë urdhrat ligjorë”.

Sipas Us Weekly, Riza Simpson është liruar nga Qendra e Paraburgimit të Qytetit të Atlantës të martën (20.01.2026), pasi ka paguar një garanci prej 500 dollarësh, por më pas është transferuar në burgun e Qarkut Fulton për shkak të një urdhërarresti aktiv.