“Disney” licencon “ChatGPT-në” e “Sora-n” t’ia përdorin personazhet
Gjigandi i njohur televiziv, “Disney”, do të investojë 1 miliard dollarë në “OpenAI” dhe ka nënshkruar një marrëveshje trevjeçare që i lejon platformës së inteligjencës artificiale të përdorë personazhet dhe historitë e saj për të krijuar video të shkurtra sipas kërkesave të përdoruesve.
Sipas marrëveshjes, përdoruesit e “Sora-s”, platforma e videove të shkurtra e “OpenAI”, do të mund të krijojnë video me më shumë se 200 personazhe të “Disneyt”, “Marvelit”, “Star Warsit” dhe “Pixarit”. Një përzgjedhje e këtyre videove do të shfaqet edhe në “Disney+”.
Kjo marrëveshje u bë publike vetëm një ditë pasi “Disney” i dërgoi “Google-it” një letër paralajmëruese ligjore “cease and desist” (“ndaloni dhe hiqni dorë”), që një kompani ose individ i dërgon dikujt tjetër kur beson se po shkel të drejtat e saj duke e akuzuar kompaninë se po “shkel të drejtat e autorit të “Disney” në një shkallë masive.
Sipas The Wall Street Journal, ky veprim tregon qasjen e dyfishtë të “Disneyt” ndaj teknologjisë: bashkëpunim me një partner dhe presion ndaj tjetrit.
“Disney” pretendon se “Google” ka përdorur materiale të mbrojtura me të drejtë autori për të trajnuar sistemet e saj të Inteligjencws artificiale (AI-së) dhe se mjetet e “Google” po krijojnë përmbajtje që i shkel këto të drejta. Letra përfshin dhjetëra imazhe dhe screenshote të videove të krijuara nga “Gemini”, “Nano Banana” dhe “Veo”, ku shfaqen personazhe si Darth Vader, Homer Simpson dhe Spiderman.
Asnjë zëdhënës i “Google” nuk ka komentuar ende.
“OpenAI” do ta paguajë “Disneyn” për përdorimin e personazheve si Darth Vader në Sora, megjithëse detajet financiare nuk janë bërë publike. Përveç investimit prej 1 miliard dollarësh, “Disney” ka marrë të drejtën për të blerë aksione të tjera të “OpenAI-së” sipas vlerësimit aktual prej 500 miliardë dollarësh.
Personazhet që do të jenë të qasshëm për përdoruesit e “Sora” përfshijnë Mickey Mousen, Elsan dhe Darth Vaderin. Asnjëri prej tyre nuk përfshin zërat apo portretet e aktorëve, për të shmangur komplikimet ligjore dhe çështjet e kompensimit.
Marrëveshja vendos kufizime të qarta: personazhet e “Disneyt” nuk mund të shfaqen në video të lidhura me drogë, alkool, seks apo bashkëveprime me pronat e kompanive të tjera.
Sidoqoftë, vetë “OpenAI” e pranon se natyra e paparashikueshme e AI-së mund të prodhojë raste që bien ndesh me standardet e “Disneyt”.
Sipas burimeve, marrëveshja është rezultat i bisedimeve që kanë zgjatur gati dy vjet, të cilat u intensifikuan këtë verë pasi “OpenAI-ja” i tregoi “Disneyt” versionin e “Sora 2” para lansimit.
Janë zhvilluar dhjetëra takime, përfshirë ato mes drejtorit menaxhues të “Disneyt”, Bob Iger, dhe atij të “OpenAI-së”, Sam Altman.
“Në këtë marrëveshje, 'OpenAI' po e respekton dhe vlerëson kreativitetin tonë”, ka deklaruar Iger për CNBC
Ai shtoi se bisedimet me “Google” për respektimin e të drejtave të autorit “nuk dhanë rezultat”, prandaj “Disney” “nuk pati zgjidhje tjetër përveç dërgimit të një letre ndalese”.
Ai ka theksuar se aftësia e përdoruesve për t’u angazhuar me personazhet përmes videove 30-sekondëshe është tërheqëse për “Disneyn” , sidomos për të tërhequr dhe mbajtur audiencë të re. Ai pret që përmbajtja e krijuar nga “Sora” të jetë pjesë e “Disney+” për shtimin e përdoruesve të rinj.
Sam Altman, në një intervistë po ashtu për CNBC, ka pranuar shqetësimet se si mund të përdoren imazhet e princeshave të “Disneyt” në përmbajtje të krijuar nga AI-ja.
Ai ka theksuar rëndësinë e “kufizimeve për përdoruesit e rinj” dhe e quajti “Disneyn” një “partner me mendje të hapur” në zhvillimin e teknologjisë.
Marrëveshja i jep edhe vetë “Disneyt” të drejtën të përdorë “ChatGPT-në” dhe mjetet e tjera të “OpenAI-së” për nevojat e punonjësve dhe për krijimin e produkteve të reja.
Partneriteti është ekskluzivisht për një vit, pastaj “Disney” mund të bashkëpunojë me kompani të tjera të AI-së.
“News Corp”, kompania mëmë e The Wall Street Journal, ka një marrëveshje të ngjashme licencimi me “OpenAI-në”.