Kenneth Iwamasa, 61 vjeç, i cili gjatë tre ditëve të fundit të jetës së yllit të serialit “Friends”, Matthew Perry, i injektoi ketaminë gjashtë deri në tetë herë në ditë pa trajnim mjekësor, përfshirë edhe ditën kur e gjeti të vdekur në vaskën me hidromasazh në shtëpinë e tij në Los Angeles më 28 tetor 2023, në moshën 54-vjeçare, është shpallur fajtor për shpërndarje të ketaminës që rezultoi në vdekje ose lëndime serioze trupore.
Gjyqtarja Sherilyn Peace Garnett dha vendimin ndaj Iwamasas, i cili përfshinte edhe dy vjet lirim me kusht dhe një gjobë prej 10 mijë dollarësh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ti ishe në dijeni të luftës së tij me varësinë. Sjellja jote ishte e papërgjegjshme, jo vetëm ditën e vdekjes së tij, por edhe në ditët që i paraprinë asaj”, tha gjyqtarja.
Dënimi përputhej me atë që kërkonin prokurorët, por gjyqtarja Garnett theksoi se “nuk kishte prova të forta” që Iwamasa “veproi me qëllim keqdashës, megjithëse disa mund të mos pajtohen”.
Iwamasa kërkoi falje për “veprimet e tij të paligjshme” ndaj familjes së Matthew Perry në sallën e gjyqit.
“Më vjen shumë keq për të gjithë ju. Më vjen pafund keq që kam bërë veprime të paligjshme për të cilat do të pendohem përgjithmonë. Do ta marr këtë pendim me vete deri në varr”, ak thënë Iwamasa.
Avokati i Iwamasas, Alan Eisner, kërkoi një dënim prej gjashtë muajsh burg dhe gjashtë muaj arrest shtëpiak, duke argumentuar se klienti i tij thjesht po zbatonte urdhrat e një personi shumë më të fuqishëm dhe nuk po vepronte në mënyrë të pavarur.
“Besnikëria e tij ndaj z. Perry ishte mbi gjithçka. Ai e adhuronte z. Perry; e shihte si idhull. Gjithçka që bënte ishte për ta kënaqur dhe për t’iu përshtatur z. Perry”, tha avokati.
“Jo i paaftë. I pavullnetshëm. Ai mund të kishte thënë jo”, ka thënë gjyqtarja.
Në një deklaratë emocionale të siguruar nga revista People, nëna e Perryt, Suzanne Morrison, tha se djali i saj “e pagoi çmimin” sepse i besoi Iwamasas, i cili i injektoi një dozë të madhe droge më 23 tetor 2023.
Në deklaratë, Morrison këmbënguli se Iwamasa të cilin Perry e kishte punësuar në vitin 2022 duhej të ishte “shoqëruesi dhe mbrojtësi” i djalit të saj në luftën kundër varësisë dhe ta ndihmonte të qëndronte “larg drogës”.
Ajo e akuzoi atë për tradhti ndaj besimit të familjes.
“Në vend që ta mbronte Matthewn, ai ndihmoi dhe nxiti përdorimin e paligjshëm të drogës, organizoi një furnizues dhe pastaj një tjetër. Ia injektoi drogën në trup Matthewt, ndonëse nuk ishte aspak i kualifikuar. Ai e bëri këtë edhe pse mund ta shihte, çdokush mund ta shihte, se ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. Dhe e bëri vazhdimisht” , ka thënë ajo.
Morrison gjithashtu sugjeroi se Iwamasa u përpoq të afrohej me të pas vdekjes së djalit të saj dhe “e mbante vazhdimisht nën vëzhgim”.
“Më dërgonte këngë, më vizatoi një hartë të vogël për të më ndihmuar të gjeja rrugën në varreza. Nëse shihte një ylber një nga gjërat e preferuara të Matthewt, më telefononte... [Ai qëndronte pranë meje] sikur të ishte njeriu i mirë që u përpoq ta shpëtonte Matthewn...Ne i besuam një njeriu pa ndërgjegje dhe djali im e pagoi çmimin”, ka thënë ajo.
Morrison tha më tej se djali i saj i ndjerë ishte “zemra dhe shpirti” i saj dhe falënderoi hetuesit për punën e tyre në sigurimin e drejtësisë për aktorin, megjithëse pranoi se “mbyllja e rastit në anën emocionale nuk do të ndodhë kurrë”.
“Asgjë nuk do ta largojë këtë dhimbje, dhe jam e sigurt se nuk do ta largojë për sa kohë të jem gjallë”, ka shtuar ajo.
Në gusht 2024, Iwamasa u deklarua fajtor për një akuzë për komplot në shpërndarjen e ketaminës që rezultoi në vdekje, si pjesë e një marrëveshjeje me prokurorët.
Marrëveshja e fajësisë tregonte se ai kishte blerë ketaminë nga ish-mjeku 49-vjeçar Salvador Plascencia, i cili u dënua me dy vjet e gjysmë burg në korrik dhe ky i fundit i kishte mësuar Iwamasas se si ta injektonte drogën.
Iwamasa gjithashtu bleu ketaminë nga i njohuri i Perryt, Erik Fleming, 56 vjeç, i cili e siguronte drogën nga Jasveen Sangha, 42 vjeçe.
Fleming u dënua me dy vjet burg dy javë më parë.
Shitësja e drogës Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, u dënua me 15 vjet burg më 8 prill.
Një tjetër mjek, Mark Chavez, 55 vjeç, gjithashtu i kishte shitur ketaminë Perryt, por ai u dënua me tetë muaj arrest shtëpiak dhe tre vite mbikëqyrje në dhjetor 2025.
Iwamasa ishte personi i pestë dhe i fundit që mori dënimin.
Ketamina u përcaktua si shkaku kryesor i vdekjes së Perryt, ndërsa mbytja u konsiderua shkaku dytësor.