Showbiz

Demi Moore: Kurrë nuk kam dashur të zgjedhë mes karrierës dhe rolit të nënës

Demi Moore

Demi Moore

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur Demi Moore ka rrëfyer se kurrë nuk ka dashur të zgjedhë mes karrierës në Hollywood dhe rolit të nënës.

Në një bisedë me shkrimtaren Jia Tolentino gjatë “New Yorker Festival”, 62-vjeçarja ka thënë se vendimi për t’i ndjekur të dyja njëkohësisht e kishte vënë nën presion të madh.

“Është një nga ato gjëra që për mua nuk kishin kuptim. Prandaj e sfidova këtë ide, duke thënë: ‘Pse jo? Pse të mos i kesh të dyja?’ Por me këtë vendim, mendoj se erdhi edhe shumë presion që ia vura vetes, për ta vërtetuar se ishte e mundur”, ka thënë Moore, raporton FemaleFirst.

Aktorja, e cila ka tri vajza, Rumer (37 vjeçe), Scout (34 vjeçe) dhe Tallulah (31 vjeçe), nga martesa me aktorin Bruce Willis, ka kujtuar gjithashtu periudhën kur ishte shtatzënë gjatë xhirimeve të filmit “A Few Good Men” në vitin 1992.

“Isha shtatzënë me Scout kur po xhironim, dhe mendoj se Tom Cruise ndihej disi i turpëruar. Unë ndihesha mirë, lëvizja normalisht, por e kuptoja që për të ishte situatë pak e sikletshme”, ka treguar ajo me humor.

Në intervista të mëparshme, Moore ka pranuar se pas lindjes së vajzave, e kishte të vështirë të gjente vendin e saj në industrinë e filmit.

“Isha bërë pjesë e filmit ‘Charlie’s Angels’ dhe kishte shumë zhurmë për një skenë me bikini, për mënyrën si dukesha. Pastaj, papritur, ndjeva sikur nuk kishte më vend për mua”, pati kujtuar ajo për Interview Magazine.

Ylli pati shtuar se nuk dinte ku të pozicionohej, pasi nuk i dukej vetja as e re e as e vjetër.

“Nuk është se ndihesha e lënë anash, por më shumë sikur nuk dija ku të pozicionohesha. Nuk isha më 20 apo 30 vjeç, por ende nuk isha as ajo që ata e perceptonin si ‘nënë’. Ishte një periudhë që nuk mund ta quaj e vdekur, por e sheshtë, pa ngjyra”, pati thënë tutje aktorja.