Showbiz

Dario Vitale largohet nga “Versace” pas vetëm 8 muajsh

Dario Vitale

Disenjatori, Dario Vitale, ka lënë postin e drejtorit kreativ në brendin e mirënjohur “Versace” pas vetëm 8 muajsh. Lajmi u bë publik vetëm disa ditë pasi zyrtarisht u finalizua procedura e blerjes së “Versaces” nga konglomerati italian, “Prada”.

Vitale zyrtarisht do të largohet nga “Versace” më 12 dhjetor, në një vendim që kompania e përshkroi si “të përbashkët” nën pronësinë e re të “Prada Group”.

Një ekip i ri kreativ do të zyrtarizohet së shpejti. 

Deri atëherë, ekipi i dizajnit do të punojë nën udhëheqjen e drejtorit ekzekutiv të “Versaces”, Emmanuel Gintzburger, ka njoftuar kompania.

Ky zhvillim tregon se “Prada Group” dhe familja kontrolluese “Prada-Bertelli” po i përmbahen qëndrimit të tyre fillestar: Vitale nuk ka qenë asnjëherë zgjedhja e tyre për markën, pasi ishte punësuar nga konglomerati “Capri Holdings”, kompania mëmë e brendit “Michael Kors”.

Edhe pritja e mirë e koleksionit të tij të parë në pistë nuk ua ndryshoi mendjen drejtuesve të rinj.
Vitale më herët ka punuar ngushtë me Miuccia Prada si drejtor kreativ në brendin tjetër në emër të saj, “Miu Miu”. 

Largimi i tij në fund të vitit 2024 u konsiderua si një pengesë e pakëndshme për “Miu Miun”, markë që ka qenë një motor i rëndësishëm i rritjes për “Prada Groupin” vitet e fundit.

Më e rëndësishmja, drejtuesit e “Pradas” dukeshin të pasigurt nëse Vitale mund të kalonte nga një rol prapa skenës në një pozicion shumë të ekspozuar publikisht si drejtori kreativ i “Versaces’, apo nëse stili i tij përputhej me investimin e tyre prej 1.7 miliardë dollarësh.