Aktorja, Dakota Johnson, ka folur hapur për stilin e saj të guximshëm në tapetin e kuq, duke thënë se nuk e shqetëson aspak mendimi i të tjerëve për fustanet e saj të tejdukshëm.
Në një intervistë për revistën Vogue Germany, 36-vjeçarja ka thënë se ndien forcë, jo ekspozim, përmes mënyrës si vishet, dhe se do të vazhdojë të mbajë veshje që e bëjnë të ndihet bukur dhe vetvetja.

E pyetur nëse ndonjëherë mendon se ndonjë fustan mund të jetë “shumë seksi”, ajo u përgjigj duke thënë se nuk i intereson.
“Sinqerisht, nuk më intereson fare”, ka thënë Johnson.
Aktorja ka shtuar se ka pasur fatin të veshë disa nga fustanet më të bukur dhe ndihet e bukur në to, prandaj i veshë.

“Ndonjëherë ato më rrinë mirë, ndonjëherë aspak fare, varet nga forma, përfundimi, ngjyra, gjithçka. Por nëse gjej një fustan të bukur në të cilin ndihem rehat, sigurisht që dua ta vesh! Dhe është argëtuese të veshësh një fustan seksi”, ka thënë ajo.
“Vogue Germany” shkruan se Johnson, vajza e aktores Melanie Griffith dhe yllit të serialit “Miami Vice”, Don Johnson, ka thënë se nëna e saj i ka mësuar vetëbesimin që në moshë të vogël.
“Mamaja ime ishte shumë e hapur për temën e trupit. Na mësoi si të kujdesemi për trupin, ta duam atë dhe ta shohim si diçka të bukur. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për një vajzë të re, sepse gjithmonë na thuhet se s’jemi mjaftueshëm të mira”, ka thënë ajo.
Ylli i filmit të njohur “Fifty Shades of Grey”, ka shtuar se nëse nënat nuk u thonë vajzave të tyre që në moshë të re se janë të mençura dhe të bukura, mund t’i dëmtojnë ato.

“Nëse personi që admiron më së shumti nuk të thotë që herët se je e përsosur, e mençur, e veçantë, e fortë dhe e guximshme, kjo mund të të dëmtojë. Më vonë është shumë e vështirë t’i mësosh vetes dashurinë për veten. Kjo ka qenë dhurata më e madhe që më ka dhënë ajo”, ka thënë aktorja.
Një nga paraqitjet më të komentuara të Johnsonit ka qenë fustani i tejdukshëm nga brendi “Gucci”, që ajo veshi në darkën bamirëse Caring for Women në New York më 11 shtator.
Fustani me mëngë të gjata ishte prej dantelle të zezë me lule të qëndisura sipër një cope tyli të tejdukshëm, përfundi të cilit i dukeshin të brendshmet e zeza, ndërsa ajo e kishte kompletuar pamjen me vathë e qafore dhe taka të zeza.

Vetëm dy javë më vonë, më 25 shtator, ajo u shfaq në Festivalin e Filmit në Cyrih me një tjetër veshje të tejdukshme, një fustan prej dantelle ngjyrë indigo me fund tyl që fillonte në pjesën e poshtme.
