Këngëtarja Dafina Zeqiri-Gjergji është bashkuar me programi e UNICEF-it në Kosovë për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm: rëndësinë e investimit në vitet e para të jetës së fëmijës.
“Sot, me UNICEF-in në Kosovë, vizitova një kopsht ku edhe një herë theksuam se investimi i hershëm te fëmijët është çelësi për zhvillimin dhe të ardhmen e tyre”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.
Zeqiri-Gjergji e cila së fundi është bërë nënë, ka thënë se çdo ditë e kupton më shumë sa i veçantë është ky proces.

“Si nënë e re, çdo ditë vërej sa magjik janë muajt e parë të jetës së fëmijës tim! Truri i fëmijës zhvillohet shumë shpejt, duke krijuar deri në një milion lidhje të reja nervore çdo sekondë! Loja, dashuria dhe angazhimi me të që nga fillimi i jetës e formojnë të ardhmen e tij”, ka shkruar tutje ajo.
Gjatë vizitës në kopshtin “Shkronjat” në Prishtinë, këngëtarja u njoh nga afër me mënyrën se si të vegjlit mësojnë përmes lojës, eksplorimit dhe empatisë.

Ky institucion punon me kurrikulën e re për edukim të hershëm, të mbështetur nga UNICEF-i në Kosovë, e cila ka në fokus gjithëpërfshirjen dhe mundësitë e barabarta për çdo fëmijë që të arrijë potencialin e tij të plotë.
Në fund të mesazhit të saj, ylli ka bërë thirrje për përkushtim të përbashkët.
“Si prindër, edukatorë dhe komunitet, të investojmë në vitet e para të jetës, sepse kur investimi te fëmijët fillon herët, tërë shoqëria zhvillohet”, ka shkruar ajo.