Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

D4vd deklarohet i pafajshëm për akuzat për vrasje dhe krime seksuale ndaj një të miture

D4vd, David Anthony Burke

D4vd, David Anthony Burke

Foto: Associated Press

Këngëtari amerikan, i njohur si D4vd është deklaruar i pafajshëm për akuzat për vrasje dhe krime seksuale ndaj një të miture, ndërsa po përballet me mundësinë e dënimit me vdekje.

Ai po kërkon që gjykimi të zhvillohet sa më shpejt, ka raportuar Deadline.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

21-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, u paraqit të hënën në një gjykatë penale në qendër të Los Angelesit. Ai përballet me akuza për vrasje të shkallës së parë dhe abuzim të vazhdueshëm seksual, në lidhje me vrasjen makabre të vitit të kaluar të adoleshentes Celeste Rivas Hernandez.

“Ne besojmë se provat reale do të tregojnë se David Burke nuk e ka vrarë Celeste Rivas Hernandez. Ne duam që provat të dalin në dritë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar gjatë seancës avokatja e tij, Blair Berk.

Ajo ka kërkuar që të mbahet një seancë paraprake sa më shpejt dhe që gjithçka të jetë publike, duke shtuar se “ka pasur katër muaj procedura sekrete të jurisë së madhe”.

Nga ana tjetër, prokurorja Beth Silverman u përgjigj se zyra e prokurorisë është e gatshme të paraqesë provat.

“Do të jemi shumë të lumtur të paraqesim provat që kemi mbledhur kundër Burke”, ka thënë ajo.

Avokatja u ankua gjithashtu se nuk i janë dhënë ende të gjitha materialet e çështjes, ndërsa prokuroria tha se provat janë të shumta. Berk ka kritikuar faktin që prokuroria pati kohë për një konferencë për shtyp, por jo për të ndarë provat me mbrojtjen, duke kërkuar që kjo të bëhet me “përkushtim të ndërgjegjshëm dhe serioz”.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe prindërit e viktimës.

Më herët gjatë ditës, prokurori i qarkut, Nathan Hochman, deklaroi se këngëtari mund të përballet me dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor nga juria, për shkak të “rrethanave të veçanta”.

Sipas tij, këto rrethana përfshijnë: “vrasje për përfitim financiar dhe eliminim të një dëshmitari në një hetim penal”.

Viktima, Celeste Rivas Hernandez, ishte vetëm 13 vjeçe dhe dyshohet se kishte qenë viktimë e abuzimeve seksuale nga këngëtari. Ajo u pa për herë të fundit më 23 prill, pak para se të shkonte në shtëpinë e tij në Los Angeles.

Përveç akuzës për vrasje, Burke përballet edhe me akuza për “akte seksuale të pahijshme me një person nën moshën 14 vjeç”.

Pas disa muajsh hetimesh, ai u arrestua javën e kaluar në shtëpinë që kishte marrë me qira në zonën Hollywood Hills. Arrestimi erdhi rreth tetë muaj pasi trupi i dekompozuar dhe i gjymtuar i vajzës u gjet në bagazhin e një veture Tesla të regjistruar në emrin e tij. Në atë kohë, ai ndodhej jashtë qytetit për shkak të turneut muzikor dhe kishte premtuar përmes përfaqësuesve se do të bashkëpunonte me policinë.

Aktualisht ai mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht dhe pritet të dalë sërish para gjykatës të enjten.

Ndërkohë, gjyqtarja Theresa McGonigle ka urdhëruar që raporti i autopsisë për viktimën të bëhet publik. Ky raport ende nuk është publikuar, pasi autoritetet presin konfirmimin zyrtar se vendimi për mbajtjen sekret të çështjes është hequr.

Dokumentacioni pritet të arrijë së shpejti në zyrën e mjekësisë ligjore.