Humoristi i njohur Conan O’Brien ka thënë se mendon që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka pasur një ndikim negativ në komedi, pasi sipas tij, disa komedianë janë aq të përqendruar në urrejtjen ndaj presidentit amerikan, sa kanë harruar armën e tyre kryesore: humorin.
O’Brien, 62 vjeç, ka thënë se disa artistë e kanë kthyer zemërimin e tyre politik në thelb të humorit, duke lënë pas dore misionin kryesor për të bërë publikun të qeshë.
“Unë mendoj se disa komedianë zgjedhin rrugën: ‘Do të them vetëm f*** Trump gjatë gjithë kohës’, dhe kjo bëhet komedia e tyre. Dhe unë mendoj se në këtë pikë, pak a shumë, po bashkëpunon pa dashje, sepse je shumë i nervozuar”, ka thënë ai gjatë një fjalimi në Oxford Union, ka raportuar FemaleFirst.
Ai ka shtuar se komedianët po harrojnë humorin duke e zëvendësuar me zemërim.
“Je vënë në gjumë. Është si një sirenë që të çon drejt shkëmbinjve. Përfundon duke thënë vetëm ‘f*** Trump, f*** Trump, f*** Trump, dreqi e mori këtë njeri’. Dhe në këtë mënyrë ke lënë mënjanë armën tënde më të fortë, që është të qenit qesharak, dhe e ke zëvendësuar me zemërim”, ka thënë O’Biren.
Ish-prezantuesi i emisionit “Late Night with Conan O’Brien” nuk pajtohet me idenë se klima politike aktuale në SHBA është “tepër serioze” për të bërë humor.
“Ka njerëz që thonë: ‘Gjërat janë shumë serioze tani, nuk kam nevojë të jem qesharak’. Por unë mendoj se nëse je komedian, gjithmonë duhet të jesh qesharak. Thjesht duhet të gjesh një mënyrë tjetër”, ka thënë ai.
O’Brien ka theksuar se zemërimi duhet kanalizuar në art.
“Sepse arti i mirë ka qenë gjithmonë një armë shumë e fortë kundër pushtetit. Por nëse vetëm bërtet dhe je i zemëruar, ke humbur mjetin më të mirë që ke”, ka thënë ai.
Sipas tij, natyra e paparashikueshme e Donald Trumpit e bën thuajse të pamundur parodizimin e tij në komedi.
“Me Trumpin ndodh kjo në komedi: njerëzit thonë ‘kemi një skeç të shkëlqyer për Trumpin, ku ai flet çmendurisht dhe rrëzon gjysmën e Shtëpisë së Bardhë për të ndërtuar një sallë gjigante balloje dhe thotë se do të jetë Mar-a-Lago e re’. Dhe përgjigjja është: po, kjo ka ndodhur dje”, u shpreh ai me ironi.
Megjithatë, O’Brien beson se komedianët duhet të vazhdojnë të flasin lirshëm.
Ai ka kritikuar pezullimin e emisionit “Jimmy Kimmel Live!” në shtatorin e kaluar, pas komenteve të Kimmelit për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk.
“Pezullimi i @jimmykimmel dhe premtimi për të heshtur prezantues të tjerë të Late Night vetëm pse kritikojnë administratën duhet t'i shqetësojë të gjithë, si të djathtën, të majtën dhe qendrën. Kjo është e gabuar dhe kushdo që ka ndërgjegje e di se është e gabuar”, ka shkruar O’Biren në një postim në rrejte sociale.