Figurat e famshme hezitojnë ta mbrojnë nga frika se mund të dëmtojnë imazhin e tyre, thonë njohës të industrisë muzikore.
Sean “Diddy” Combs, dikur i njohur për festat luksoze në Hamptons dhe për rrethin e tij të yjeve të njohur, po përballet me një realitet të zymtë. Ndërsa fillimi i gjykimit të tij për trafikim seksual po afrohet, shumë nga miqtë e tij të famshëm kanë heshtur, ka shkruar NBC News.
Pse nuk po e mbrojnë më yjet Diddyn?
“Në industrinë e muzikës, gjithçka është e paqëndrueshme. Të gjithë duan të jenë pranë kur je në kulm, por sapo doli videoja ku ai rrah Cassie-n, askush nuk deshi të jetë afër, sepse kjo mund të dëmtonte emrin dhe imazhin e tyre. Të jesh afër me Diddyn mund të nënkuptojë përfshirje në rast”, ka thënë Ramal Brown, ish-DJ hip-hopi.
Videoja që transmetoi CNN-i tregonte Combsin duke ushtruar dhunë fizike ndaj ish-të dashurës së tij, këngëtares, Casandra “Cassie” Ventura. Ai kërkoi falje publikisht, duke thënë se sjellja e tij ishte “e pajustifikueshme” dhe se merr “përgjegjësi të plotë”.
Combs po përballet me një aktakuzë me pesë pika që përfshijnë trafikim seksual, shantazh dhe trafikim për prostitucion. Ai është deklaruar i pafajshëm, por nëse shpallet fajtor rrezikon të dënohet prej 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
“Freak offs” dhe më shumë se 50 akuza civile
Sipas prokurorëve, Combs organizonte festa seksuale me drogë ku detyronte gratë të përfshiheshin në marrëdhënie seksuale me meshkuj që ai i kishte punësuar dhe e gjitha filmohej nga ai. Këto festa i quante “freak offs”.
Përveç çështjes penale federale, ai është përballur me më shumë se 50 padi civile për sulm seksual dhe sjellje të pahijshme. Një ndër to ishte ajo nga Cassie në vitin 2023, e cila u zgjidh brenda një dite me marrëveshje private. Avokati i Combsit ka thënë se kjo nuk nënkuptonte pranim fajësie. Combs i ka mohuar të gjitha akuzat.
Yjet mungojnë në sallën e gjyqit
Gjatë përzgjedhjes së jurisë javën e kaluar, Combs u pa i shqetësuar dhe kërkoi leje për t’u larguar në banjë. Asnjë figurë e njohur nuk u paraqit në sallën e gjykatës për ta mbështetur. Sipas gazetarit dhe kritikut të kulturës Gerrick Kennedy “njerëzit nuk po flasin sepse nuk duan të përfshihen as në nivel minimal”.
Madison Gray, ish-redaktor në televizionin Black Entertainment, ka thënë se shumë prej miqve të tij janë distancuar për shkak të natyrës së rëndë të akuzave.
“Kur gjithçka është mirë, festat janë të mrekullueshme, pijet rrjedhin. Por sapo ndodh diçka e keqe, miqësitë zhduken”, ka thënë ai.
Kush e ka mbrojtur Diddyn?
Një nga të vetmit mbështetës publik ka qenë reperi Kanye West, i cili e ka mbrojtur Diddyn në rrjete sociale, duke akuzuar Venturan se po përpiqej ta shantazhonte për para. Ai shkroi një postim në rrjetin social X më 18 mars (tani i fshirë), ku akuzonte Venturan për “tentim zhvatjeje”. Një ditë më vonë, Ventura reagoi duke ripostuar një screenshot nga faqja Shade Room, ku reperi Playboi Carti i thoshte Westit: “hesht”.
Avokati i saj, Douglas Wigdor, nuk pranoi të komentojë për këtë çështje.
Duhet theksuar se komentet e Westit erdhën në një kohë kur ai po përballej me kritika të ashpra për postime të mbushura me urrejtje ndaj komunitetit hebre, duke përfshirë fraza si “i dua nazistët” dhe “unë jam nazist”.
Stevie J, ish-producent i labelit “Bad Boy Records”, është një tjetër preson që e ka mbështetur publikisht Combsin. Ai i ka quajtur paditë civile “të pavërteta” dhe ka deklaruar se nuk do ta lë mikun në baltë.
“Nuk e kuptoj si mund të jesh fajtor para se të shkosh në gjykatë. Nuk do ta lë kurrë mikun tim. Po dënohem vetëm pse jam mik i tij. Ndoshta njerëzit nuk kanë pasur kurrë një mik të vërtetë”, ka thënë ai.
Edhe këngëtari Ray J ka folur, duke pranuar se ka marrë pjesë në festat e Diddyt, por ka thënë se nuk ka parë asnjëherë ndonjë “freak off”.
“Unë të garantoj se shumica e yjeve që shkuan në ato festa nuk kanë dëgjuar kurrë për ‘freak off’. Në fillim tingëllonte interesante, por tani që mendoj, ku ishin ato? Nga ajo që di, nuk kam parë asnjëherë një të tillë”, i tha ai gazetarit Chris Cuomo në News Nation.
Ventura pritet të dëshmojë në gjyq, por lista e dëshmitarëve nuk është bërë ende publike. Anëtarëve të mundshëm të jurisë iu paraqit një listë me emra që mund të përmenden në gjyq, përfshirë yje si Michael B. Jordan, Mike Myers dhe West, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në rast.