Showbiz

Colman Domingo pjesë e filmit “Wicked”

Colman Domingo

Colman Domingo

Foto: Associated Press

Aktori, Colman Domingo, i është bashkuar kastës së filmit “Wicked: For Good”, ku do t’ia japë zërin personazhit “luani frikacak”, vetëm pak ditë pasi regjisori Jon M. Chu kishte paralajmëruar se një aktor i madh do ta luante këtë rol surprizë, ka raportuar Variety. 

Regjisori Chu kishte ngacmuar fansat duke thënë se “një aktor sekret” do të ishte pjesë e filmit, dhe i kishte ftuar ata të prisnin premierën për të zbuluar identitetin e tij.

Por, surpriza u zbulua më herët, pasi faqja zyrtare e filmit “Wicked” në Instagram publikoi një video që e tregonte Colman Domingon pas një lodre luani. Aktori zhvendos lodrën dhe thotë me buzëqeshje: “See you in Oz.” (“Shihem në Oz”).

Kjo video konfirmoi se aktori i nominuar për çmim “Oscar” do të jetë zëri i Luanit Frikacak në vazhdimin e shumëpritur të filmit “Wicked”, që do të dalë në fund të këtij viti.

“Prisni deri në tapetin e kuq, kur aktori që i dha zërin Luanit Frikacak të dalë aty. Do të jetë e çmendur”, pati thënë Chu për Deadline.

Ai ka treguar se e kishte kontaktuar personalisht Domingon në Instagram për ta ftuar në projekt, ani pse roli ishte i vogël.

“I shkrova: ‘Nuk ka shumë dialog, por ndoshta ke pak kohë. E di që je i zënë, mund të vij te ti’. Ai u përgjigj: ‘Pse jo, le ta bëjmë!’ Dhe e incizuam menjëherë”, ka thënë Chu.

“Wicked: For Good” do të vazhdojë historinë pas ngjarjeve të filmit të vitit 2024, me aktoren Cynthia Erivo në rolin e Elphabas dhe Ariana Grande si Glinda.

Filmi do të prezantojë edhe personazhe të tjerë të njohur nga filmi i njohur “The Wizard of Oz” si The Tin Man, The Scarecrow dhe Dorothy Gale, megjithëse Chu ka theksuar se “vajza nga Kansas do të ketë rol më të vogël dhe prapaskenik në këtë pjesë”.

Historia e re do të ndjekë Elphaban, e cila tashmë është arratisur drejt perëndimit pas ndarjes nga Glinda, ndërsa Glinda ngrihet si figurë publike nën ndikimin e Magjistarit (rolin e të cilit e luan Jeff Goldblum) dhe Madame Morrible (Michelle Yeoh).

Në film do të rikthehen edhe Jonathan Bailey si Princi Fiyero dhe Ethan Slater si Boq.