Aktori i njohur Charlie Sheen ka rrëfyer se ka qenë i varur nga seksi dhe se shpesh është shantazhuar nga partnerët e tij gjatë periudhës kur abuzonte rëndë me drogë, kohën që bëri tituj të shumtë dhe rrezikoi t’ia shkatërronte karrierën.
Në një intervistë për Michael Strahan në “Good Morning America”, Sheen, ka treguar se në atë periudhë kishte marrëdhënie edhe me burra, por e mbante sekret për shkak të shantazheve, ka raportuar ABC News.
“Kjo solli sasi të jashtëzakonshme shantazhesh. Dhe atëherë mendova: ‘Në rregull, më mirë t’i paguaj që të heshtin. Të shpresoj se do të zhduket si fakt, të zhduket, e dini? Të zhduket”, ka thënë ai.
Sheen, 60 vjeç, ka thënë se për vite me radhë ndihej sikur “po mbahej peng”, sepse zgjidhte të paguante në vend që të rrezikonte ekspozimin publik.
“Unë thjesht kisha nevojë të lirohesha nga kjo… dhe pastaj të shoh si do të ndihej bota nëse do ta dinte këtë”, ka shtuar ai.
Sheen, fitues i çmimit “Golden Globe” dhe yll i filmave e serialeve si “Platoon” dhe “Two and a Half Men”, ka shkruar për jetën e tij në librin e ri “The Book of Sheen”, i cili del më 9 shtator.
Në të, ai flet jo vetëm për marrëdhëniet dhe skandalet, por edhe për diagnozën me HIV dhe vendimin për të ndaluar përdorimin e drogës në vitin 2015, kur e bëri publike gjendjen e tij.
Ai ka treguar gjithashtu se e la alkoolin në vitin 2017 dhe prej asaj kohe është plotësisht i pastër.
“Trupi im nisi ta refuzonte. Fjalë për fjalë, si të përmbysej nga brenda. Ishte rrëmujë”, ka thënë ai për vendimin për të hequr dorë nga alkool. Sot, aktori thotë se ndihet “mjaft mirë”.
Duke kujtuar periudhën e vitit 2011, kur “Two and a Half Men” ishte në kulmin e suksesit, Sheen ka thënë se nuk e njeh më atë version të vetes. Seriali u ndërpre që ai të futej në rehabilitim, më pas u përjashtua nga xhirimet dhe në fund u pushua nga roli.
“Nuk e di kush ishte ai person. Nuk është justifikim, por nuk e di nga cila pjesë e imja doli ajo gjë”, ka thënë ai, duke iu referuar deklaratave të bujshme për “gjak tigri” e “ADN të Adonisit”.
“Është e çuditshme. Është si një lloj posedimi. I lutem atij versioni të vetes: ‘Njeri, ndalu. Tërhiqu’”, ka thënë ai.
Ai ka pranuar se ndien pendesë për atë periudhë.
“E vetmja mënyrë për t’u përballur me të është të mos e përsëris kurrë dhe të mos lejoj të bie më në situata të tilla. Shumë njerëz më kujtojnë vetëm nga ato klipet virale, një tip që bërtiste ‘gjak tigri’. Por, ai ishte vetëm një çast në karrierën time shumë të gjatë, kur gjërat dolën nga binarët”, ka thënë aktori.
Përveç karrierës si aktor, Sheen është biri i aktorit Martin Sheen, është baba i pesë fëmijëve dhe gjysh. Ai ka theksuar se, me kalimin e kohës dhe forcimin e qëllimit për të qëndruar i kthjellët, edhe marrëdhëniet me fëmijët e tij janë përmirësuar.