Showbiz

Cassie dëshmon në rastin e Diddyt, tregon për abuzimin nga reperi

Cassie

Cassie dhe P.Diddy në vitin 2017

Foto: Associated Press

Këngëtarja e njohur, Casandra Ventura, e njohur si Cassie, e cila është ish-partnerja e Sean Diddy Combs, është duke dëshmuar në rastin gjyqësor kundër reperit amerikan.

Ajo është dëshmitarja kryesore e prokurorisë. 

Cassie ka hyrë në dhomën e gjyqit e veshur me një fustan të ngushtë dhe të gjatë, i cili i vinte në pah mirë barkun e saj të fryrë, duke treguar se është shtatzënë.

Ajo i është përgjigjur pyetjeve të para të prokurorëve, me një zë të ulët.

E pyetur për abuzimin që ka përjetuar nga Combs, Cassie thotë se ai e kishte goditur në kokë, e kishte rrëzuar dhe e kishte tërhequr zvarrë duke e shqelmuar. 

E pyetur sa shpesh ka ndodhur kjo, ajo është përgjigjur: "shumë shpesh".

Vetëm pesë minuta pas dëshmisë së saj, prokurorët kanë nxjerrë videon virale të Combs duke rrahur Venturën në korridorin e një hoteli në Los Anxhelos.

Më pas, me lotë në sy, Ventura ka treguar ndër të tjera se si Combs e kishte shtyrë atë të kryente marrëdhënie seksuale me persona të tjerë, në prani të tij.

“Isha nervoze dhe konfuze”, është shprehur ajo. “Sapo kisha mbushur 22 vjeç”, ka shtuar.

Ajo ka sqaruar se nuk donte të bënte atë që quhej “freak off” por e kishte bërë sepse e donte Combs shumë dhe dëshironte ta bënte të lumtur.

Ventura i ka thënë jurisë se kishte frikë se çfarë do të bënte ai nëse ajo do të thoshte jo.  Ajo ka shtuar se dhuna fizike nga Combs ishte gjithmonë në mendjen e saj.

Combs, 55 vjeç, përballet me akuza për shantazh, trafik seksual dhe prostitucion.

Combs ka mohuar të gjitha akuzat. Mirëpo, nëse shpallet fajtor, ai mund të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg.

Ventura, 38 vjeç, ishte e dashura e Combs për një dekadë, padia për e së cilës pretendonte abuzim seksual dhe dhunë në familje, ka nxitur një hetim të veçantë federal.

Ventura është një këngëtare që së pari fitoi popullaritet në fillim të viteve 2000. Ajo ka publikuar disa këngë që përfshinin Combs.

Këngët e saj më të njohura përfshijnë Me & U, Long Way to Go dhe Official Girl, me Lil Wayne.

Ventura pretendon se Combs filloi ta ndiqte intensivisht në vitin 2005, kur ajo ishte 19-vjeçare dhe ai 37-vjeç.

Cassie tani është e martuar me aktorin Alex Fine dhe është nënë e dy fëmijëve. Ajo aktualisht është shtatzënë me fëmijën e saj të tretë.