Showbiz

Carey fiton mbi 92 mijë dollarë pasi u rrëzua padia për këngën e Krishtlindjes

Mariah Carey

Mariah Carey

Foto: Associated Press

Këngëtarja e njohur, Mariah Carey, ka fituar mbi 92 mijë dollarë në shpenzime ligjore pasi u hodh poshtë padia për shkelje të së drejtës së autorit lidhur me këngën e saj të famshme “All I Want For Christmas Is You”.

Këngëtarja ishte paditur në muajin nëntor të vitit 2023 nga artisti country Andy Stone, i njohur me emrin artistik Vince Vance. Ai pretendonte se hiti i Krishtlindjes i Careyt ishte kopjuar nga kënga e tij e vitit 1988 me të njëjtin titull. Megjithatë, në mars të këtij viti, gjykata e rrëzoi padinë.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista "Rolling Stone", Stone tani është urdhëruar t’i paguajë Careyt 92.300 dollarë për shpenzimet e avokatëve, pjesë e një shume totale prej 109.983 dollarësh në tarifa të vendosura nga gjykata. Nga kjo shumë, mbi 14 mijë dollarë do t’i shkojnë gjigandit “Sony Music”.

Gjykata ka konstatuar se Carey dhe të bashkëpaditurit e saj, ”Sony Music”, “Kobalt Publishing” dhe producenti Walter Afanasieff, kishin pësuar “shpenzime të panevojshme për t’iu përgjigjur argumenteve ligjore të pabaza dhe pretendimeve faktike të pambështetura”.

Gjykatësja Mónica Ramírez Almadani kishte vendosur se Stone dhe bashkautor i tij, Troy Powers, nuk kishin prova të mjaftueshme për të vërtetuar shkeljen e së drejtës së autorit.

Ajo ka kritikuar gjithashtu sjelljen “të rëndë” të Stone dhe avokatëve të tij, Gerard Fox dhe Douglas M. Schmidt.

“Edhe pse çdo rast i sjelljes që meriton sanksion, i marrë veçmas, mund të mos kërkojë më shumë se një qortim të ashpër, është grumbullimi i sjelljeve të pahijshme ai që e bën këtë një situatë të rëndë dhe që justifikon sanksione më të ashpra”, thuhej në vendimin për rrëzimin e padisë prej 20 milionë dollarëshe.

Në dokumentin më të fundit, gjykatësja ka theksuar se avokatët e Stone nuk kishin përmendur fare Troy Powers në parashtresat e tyre, ndonëse Fox kishte deklaruar se “nuk kishte më kontakt” me të.

“Derisa të miratohet zyrtarisht tërheqja nga përfaqësimi, Fox dhe Schmidt kanë ende detyrimin profesional për të mbrojtur interesat e Powers në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk duket se avokatët e paditësve e kanë përmbushur këtë detyrim etik ndaj Powers”, ka theksuar ajo.

Avokatëve u është dhënë afat deri më 5 janar për të paraqitur shpjegime se pse mosrespektimi i rregullave profesionale të Kalifornisë dhe rregullave lokale për tërheqje nga çështja nuk duhet të çojë në masa disiplinore.

Nëse nuk reagojnë brenda afatit, ata mund të përballen me sanksione shtesë.