Showbiz

Busta Rhymes mohon akuzat e ish-asistentit dhe paralajmëron kundërpadi

Busta Rhymes

Busta Rhymes

Foto: Associated Press

Reperi i njohur Busta Rhymes ka reaguar ashpër ndaj një padie të ngritur ndaj tij nga ish-asistenti Dashiel Gables, duke e akuzuar se po përpiqet t’ia dëmtojë reputacionin dhe duke paralajmëruar një kundërpadi.

Reperi 53-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Trevor Smith Jr., është paditur për disa shkelje ligjore, përfshirë shkelje të të drejtave të punës, sulm fizik, dhunë dhe shkaktim të qëllimshëm të traumës emocionale. Por ai i ka quajtur këto akuza “plotësisht të pavërteta”.

“I mohoj plotësisht dhe kategorikisht këto akuza. Dashiel ka vendosur të reagojë ndaj pushimit nga puna duke sajuar pretendime me qëllim që të më sulmojë dhe të më dëmtojë reputacionin. Pres me padurim të dëshmoj që këto akuza janë të pavërteta”, ka thënë ai në një deklaratë për revistën People.

Rhymes ka shtuar se pretendimet do të zbulojnë se çfarë është kjo padi në të vërtetë.

“Do të dalë në shesh që kjo është thjesht një përpjekje për shantazh nga një ish-asistent i pakënaqur. Jam i bindur që në fund do të fitojë e vërteta”, ka thënë ai.

Padia është dorëzuar më 4 gusht nga Dashiel Gables, i cili njihet edhe me emrin Divine. Ai ka kërkuar që çështja të shqyrtohet me gjyq me juri.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, konflikti mes tyre nisi në muajin janar të këtij viti, kur Gables tentoi të kontaktonte vajzën e tij dhe Rhymes, sipas tij, i bërtiti duke i thënë: “Qëndro larg telefonit tënd, dreqi ta hajë!”, përpara se ta godiste dy herë në fytyrë.

Gables u paraqit në spital me lëndim në sy dhe raportoi incidentin në polici. Rhymes u dorëzua vetë dhe u përball me tre akuza për sulm fizik. Pak më vonë, thuhet se ai e pushoi asistentin nga puna, gjë që, sipas Gables “e përjashtoi nga çdo mundësi punësimi në industrinë muzikore”.

Në padi, Gables gjithashtu e akuzon Busta Rhymes se ka përdorur gjuhë fyese dhe abuzive ndaj tij, duke përfshirë ofendime të vazhdueshme, kërcënime si “do ta përgjak fytyrën”, shprehje homofobike, tallje për dëgjimin e dobët, si dhe sjellje të dhunshme si pështyerje në fytyrat e punonjësve dhe goditje pas koke.

Në aspektin ligjor dhe financiar, Dashiel pretendon se Rhymes nuk ka respektuar ligjet e punës, nuk i ka dhënë njoftime të duhura për pagesat, nuk i ka lëshuar fletëpagesa siç kërkohet nga ligji federal dhe ai i shtetit të New Yorkut dhe nuk i ka paguar orët shtesë ose shpërblimin për orare të zgjatura, siç parashikon Fair Labor Standards Act dhe ligji i punës së New Yorkut.

Ai kërkon kompensim për pagat e humbura në të kaluarën, pagat që mund të kishte fituar në të ardhmen, pagesat që i takojnë sipas ligjeve të punës dhe dëmshpërblim të dyfishtë për shkak të shkeljeve të ligjit.