Bashkëshortja e aktorit të njohur Bruce Willis ka zbuluar se aktori nuk është kurrë i vetëdijshëm për faktin që vuan nga demenca.
Ylli i filmit “Die Hard” u diagnostikua me demencë frontotemporale (FTD) në vitin 2023, por Emma Heming Willis ka treguar se ai “kurrë nuk i ka lidhur pikat” për gjendjen e tij shëndetësore dhe se ajo ndihet e lehtësuar që ai nuk e kupton sëmundjen.
“Bruce kurrë, kurrë nuk e ka kuptuar plotësisht çfarë po ndodh. Ajo që është njëkohësisht bekim dhe sfidë, është fakti që ai nuk e ka kuptuar se e ka këtë sëmundje. Dhe jam shumë e lumtur për këtë. Jam vërtet e lumtur që ai nuk e di”, ka thënë ajo në podcastin Conversations with Cam, ka raportuat Rolling Stone.
Heming Willis, e cila ka dy vajza me aktorin, Mabel 13-vjeçare dhe Evelyn 11-vjeçare, ka shpjeguar se Willis vuan nga anosognozia, një gjendje kur truri nuk arrin ta kuptojë se personi ka një problem shëndetësor.
Kjo gjendje është e shpeshtë te njerëzit me çrregullime neurologjike dhe mendore.
“Është kur truri nuk arrin ta identifikojë çfarë po i ndodh vetes, ndaj personi mendon se kjo është gjendja e tij normale. Ajo që njerëzit mendojnë se është mohim, kur dikush thotë ‘jam mirë, jam mirë’ dhe nuk shkon te mjeku, në fakt është anosognozia. Nuk është mohim. Është thjesht fakti që truri po ndryshon. Kjo është pjesë e sëmundjes”, ka shpjeguar ajo.
47-vjeçja ka treguar se ani pse Bruce ka ndryshuar, familja është përshtatur me realitetin e ri.
“Ne kemi ecur përpara bashkë me të. Jemi përshtatur me ndryshimet e tij. Ai ka një mënyrë për t’u lidhur me mua dhe me fëmijët tanë që mund të mos jetë si më parë, por është ende shumë e bukur. Është ende shumë domethënëse. Thjesht është ndryshe. Dhe ti mëson si të përshtatesh”, ka thënë ajo.
Në muajin nëntor, vajza e tij më e madhe, Rumer Willis, nga martesa me aktoren Demi Moore, ka pranuar se babai i saj nuk e njeh gjithmonë, por ajo ndihet ende mirënjohëse.
“Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse që ende mund të shkoj dhe ta përqafoj. Jam mirënjohëse që kur shkoj dhe e përqafoj, pavarësisht nëse më njeh apo jo, ai e ndien dashurinë time dhe unë e ndiej dashurinë e tij. Ende shoh një shkëndijë të tij dhe ai ndien dashurinë që i jap. Kjo ndjesi është shumë e bukur”, ka thënë ajo në një video në Instagram.