Yjet e filmit, Bruce Lee, Jackie Chan dhe Jet Li mund të rikthehen së shpejti në ekranet botërore në një formë të re, të rilindur përmes inteligjencës artificiale (AI), ka raportuar “Variety”.
Në Festivalin e 27-të Ndërkombëtar të Filmit në Shangai, Fondacioni Kinez i Filmit dhe partnerët prezantuan dy iniciativa të mëdha të drejtuara nga AI, si pjesë e projektit “Kung Fu Film Heritage”, një projekt i gjerë për të ringjallë 100 filma klasikë të arteve marciale përmes teknologjisë dhe një film të ri të animuar “A Better Tomorrow: Cyber Border”, që po konsiderohet si filmi i parë në botë i animuar, i prodhuar plotësisht me inteligjencë artificiale.
Ringjallja e filmave klasikë me teknologji
Projekti synon të rikthejë në jetë 100 filma kung fu duke përdorur AI-në për të përmirësuar imazhin, zërin dhe cilësinë e përgjithshme, duke ruajtur historinë dhe estetikën origjinale.
“Nga Bruce Lee te Jackie Chan, nga ‘Crouching Tiger, Hidden Dragon’ deri te ‘Wolf Warrior’, këta filma i kanë treguar botës gjallërinë dhe shpirtin e popullit kinez. Ata janë kartëvizita jonë kinematografike për botën”, ka thënë Zhang Qilin, kryetari i Fondacionit të Filmit në Kinë.
Filmat që do të restaurohen përfshijnë tituj legjendarë si “Fist of Fury”, “The Big Boss”, “Once Upon a Time in China” dhe “Drunken Master”.
Tian Ming, kryetar i “Canxing Media”, ka thënë se 10 nga 100 filmat do të jenë prioritet në fazën e parë, me fond prej 100 milionë RMB (rreth 13.9 milionë dollarë).
“AI është si furça, por krijimtaria është shpirti. Filmat klasikë kung fu përfaqësojnë boshtin shpirtëror të Kinës. Ne po ftojmë partnerë nga e gjithë bota që të bashkohen në këtë rilindje kulturore dhe teknologjike”, ka thënë Tian.
Gjatë festivalit u prezantua edhe filmi i ri i animuar “A Better Tomorrow: Cyber Border”, një version futurist i filmit klasik kriminal të John Woo.
Ky film është prodhuar tërësisht me teknologjinë e Quantum Animation, duke përdorur inteligjencën artificiale në çdo hap: nga skenari e modelimi deri te animacioni dhe realizimi final.
“Ky film u krijua vetëm nga 30 persona. AI e ka shkrirë barrierën mes idesë dhe realizimit. Procesi i prodhimit nga vite është shndërruar në muaj”, ka thënë producenti Zhang Qing.
Filmi, i cilësuar si “i pari në botë që është prodhuar tërësisht me AI”, u prezantua si provë për të ardhmen e tregimit të historive kineze me teknologji të reja.
“Duhet të shkojmë përtej formateve tradicionale. Pse lojërat më të mëdha të luftës në botë nuk janë kineze, kur pothuajse të gjitha përdorin lëvizje kineze? Duhet të krijojmë Street Fighter-in tonë nga personazhet tanë si Wong Fei-hung dhe Nezha”, ka shtuar Zhang.
Shteti mbështet projektet me AI
Gjatë ngjarjes u theksua edhe mbështetja institucionale për këto projekte. He Tao nga Qendra Kërkimore e Administratës Kombëtare të Radios dhe Televizionit, ka folur për politikat e reja që rregullojnë përdorimin e inteligjencës artificiale në media.
“AI nuk është thjesht mjet, është infrastrukturë e re. Po transformon mënyrën si shkruhen skenarët, realizohen efektet vizuale, dublimi dhe shpërndarja. Në filmat e shkurtër dhe mini-dramat, AI tashmë është bërë standard”, ka thënë ai.
Një qendër e re kombëtare për trajnim dhe kërkime është hapur në Shangai, si pjesë e një rrjeti që tashmë ekziston në qytete të tjera si Xi’an, Wuhan dhe Xiamen.
Po ashtu, hapësirat kombëtare të procesimit grafik në Guizhou kanë arritur të shkurtojnë kohën e përpunimit të efekteve vizuale nga më shumë se 400 ditë në vetëm 24 orë.
Ngjarja u mbyll me homazhe për legjendat e industrisë si aktori i filmave aksion Yu Rongguang, skenaristi Zhang Tan dhe producenti Yuan Hong.
“Kam kaluar 40 vjet duke bërë vetëm filma kung fu. Nëse më ka mbetur edhe pak fuqi, do t’ia kushtoj këtij projekti”, ka thënë Yuan.
Ndërsa Zhang Tan për filmat kung fu ka thënë se “janë shpirt e dinjitet”.
“Me AI, nuk po fshijmë të kaluarën, por po e ringjallim duke i dhënë sërish frymëmarrje”, ka thënë ai.
Ngjarja u përmbyll me aktivizimin simbolik të “AI Reboot Project”, duke lidhur fillimet e kinemasë kineze nga viti 1905 me epokë të re të tregimeve të rilindura nga teknologjia.