Këngëtarja Britney Spears ka reaguar ashpër ndaj ish-bashkëshortit të saj, Kevin Federline, pas deklaratave që ai ka bërë në librin e tij të ri “You Thought You Knew”, i cili do të publikohet më 21 tetor.
Në disa pjesë nga libri që janë publikuar paraprakisht, Federline, 47 vjeç, flet për martesën e tij me Spearsin (43 vjeçe) dhe për raportin e saj me dy djemtë e tyre, Sean Preston, 20 vjeç, dhe Jayden James, 19 vjeç, të lindur gjatë martesës së tyre që zgjati nga viti 2004 deri më 2007.
Në një postim të gjatë në platformën X, Spears e akuzoi ish-burrin e saj për përfitim nga dhimbja e saj.
“Të duash dikë me zemër të pastër dhe pa kushte, por gjithmonë të kërcënohesh ose të ndihesh si e keqja, ndërsa të tjerët përfitojnë nga dhimbja jote… Jezus, tregomë që ekziston Zoti dhe që edhe unë mund të dua e të më duan pa u munduar të jem perfekte”, ka shkruar ajo.
Këngëtarja ka thënë se Federline po e “sulmonte” në intervistat e tij për mediat.
“Pse është kaq i zemëruar? Dhe ajo që më tremb është se është bindës. Më shokon kur ndalet pak para se të qajë… a je seriozisht duke bërë shaka?”, ka shkruar tutje ajo.
Duke e krahasuar librin e tij me autobiografinë e saj të vitit 2023, “The Woman in Me”, Spears ka pranuar me ironi: “E di që libri i tij do të shitet shumë më shumë se i imi”.
Ajo ka shtuar se mënyra se si Federline po flet për të është “poshtëruese” dhe “plot mllef”.
“Nëse e do vërtet dikë, nuk e ndihmon duke e poshtëruar. Ajo që më frikësoi ishte sa serioz dhe i zemëruar u bë, njerëzit s’e kanë idenë, është shumë më keq sesa mund ta imagjinojnë… ai më urren dhe është një urrejtje e thellë për t’i thënë gjërat që po thotë”, ka thënë ajo.
Në postim, Spears ka folur edhe për raportin e saj të ftohtë me nënën e saj, Lynne Spears.
“Ajo më thotë, ‘Oh, je e zemëruar, ne thjesht të duam dhe dëshirojmë të ishe këtu,’ por më ka telefonuar vetëm një herë në gjashtë vjet dhe as nuk më ftoi në ditëlindjen e vëllait tim në shtëpinë e tyre në Luiziana”, ka shkruar ajo.
Spears ka shtuar se ndonjëherë ndien se nëna dhe familja e saj e trajtojnë njësoj si babai, Jamie Spears, i cili ishte kujdestari i saj ligjor për 13 vjet.
“Ata e duan fshehurazi faktin që më përjashtojnë dhe më bëjnë të ndihem plotësisht e izoluar”, ka shkruar ylli.
Artistja ka treguar se ka gjetur mënyra të reja për të shëruar veten, duke filluar me blerjen e një mini-serre.
“Më duhet shërim dhe po filloj nesër… ka kaq shumë gjëra që mund të bësh për t’u shëruar”, ka thënë ajo.
Krijuesja e hititi “Lucky” ka shtuar se do të donte të pinte kafe, të hante drekë ose darkë me aktoren Michelle Pfeiffer dhe me Paris Jackson, vajzën e Michael Jackson.
“Është e rëndësishme të kesh njerëz për t’u frymëzuar, të besosh ende në njerëzim, sepse ka njerëz vërtet të bukur dhe të mrekullueshëm në këtë botë”, ka shkruar ajo.
Në fund të postimit, Spears ka njoftuar se do të fillojë të merret me aktrim, podcast dhe shkrime mujore, por “jo për veten time.”
“Njerëzit nuk duhet të flasin gjithmonë për tema tronditëse apo kontradiktore…”, ka shtuar ajo.
Ylli ka falënderuar fansat për mbështetjen.
“Faleminderit të gjithëve që po mbështesni zemrën time tani. E di që më kuptoni, dhe po, dhemb”, është shprehur Spears.