Ylli i pop-it Britney Spears ka deklaruar se nuk do të performojë më kurrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të asaj që ajo i quan “arsye jashtëzakonisht të ndjeshme”.
Megjithatë, këngëtarja është shprehur se shpreson të rikthehet në skenë për fansat në Britani dhe Australi, ka raportuar FemaleFirst.
Artistja 44-vjeçare ka folur për planet e saj të ardhshme në një postim në Instagram, ku ka zbuluar se këtë vit po i dërgon një piano njërit prej djemve të saj. Në të njëjtin postim, ajo ka theksuar se nuk ka ndërmend të performojë më në SHBA, por la të hapur mundësinë e koncerteve jashtë vendit.
“Po ia dërgoj këtë piano djalit tim këtë vit!!! … Interesante është se unë kërcej në Instagram për të shëruar gjëra në trupin tim që njerëzit nuk i dinë. Po, ndonjëherë është edhe e turpshme … por kam kaluar nëpër zjarr për të shpëtuar jetën time…”, ka shkruar ajo.
Më pas ajo ka shtuar se nuk do të performojë më në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk do të performoj më kurrë në SHBA për arsye jashtëzakonisht të ndjeshme, por shpresoj të jem duke qëndruar ulur në një stol, me një trëndafil të kuq në flokë, të lidhur mbrapa, duke performuar me djalin tim … në Britani dhe AUSTRALI shumë shpejt”, ka thënë këngëtarja.
Ajo e mbylli mesazhin me fjalë plot emocion për të birin.
“Ai është yll i madh dhe unë jam shumë e përulur që jam në praninë e tij!!! Zoti të bekoftë, vogëlushi im!!!”, ka thënë ylli.
Spears është nënë e dy djemve, Jayden, 19 vjeç, dhe Preston, 20 vjeç, nga martesa e saj e mëparshme me Kevin Federline, por në postim nuk e bëri të qartë se cilit prej tyre i referohej.
Megjithatë, ajo ka lavdëruar më herët aftësitë muzikore të Jaydenit.
Në muajin mars të vitit 2025, ajo ka publikuar një video ku Jayden luante në piano.
“Jam e mahnitur prej tij. Nuk mund ta besoj që është djali im!!! Sinqerisht u frikësova, sepse kjo nuk më dukej normale!!!”, pati shkruar ajo.
Koncertet e fundit të Spearsit në SHBA u mbajtën në vitin 2018, në kuadër të turneut “Piece of Me”, i cili pasoi pas koncerteve të saj shumëvjeçare në Las Vegas nga viti 2013 deri më 2017.
Ajo ishte parashikuar të rikthehej në Las Vegas në vitin 2019 me shfaqjet “Domination”, por projekti u anulua, pasi këngëtarja pati thënë se kishte çështje familjare që kërkonin vëmendjen e saj.
“Po ia përkushtoj gjithë fokusin dhe energjinë time kujdesit për familjen time. Kemi një marrëdhënie shumë të veçantë dhe dua të jem pranë familjes sime në këtë kohë, ashtu siç ata kanë qenë gjithmonë pranë meje”, pati shpjeguar Spears përmes një deklarate në atë kohë.
Ajo përfundonte duke ju falënderuar fansave.
“Faleminderit të gjithëve për dashurinë dhe mbështetjen e vazhdueshme. Më vjen keq për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar kjo dhe mezi pres ditën kur të rikthehem në skenë për të performuar për ju”, pati thënë ndër të tjera ylli i hitit “Baby One More Time”.