Pas tepihut të kuq plot yje në shkallët e Muzeut Metropolitan të Artit në New York, atmosfera brenda ngjarjes më të madh të modës u bë edhe më elektrizuese.
Si çdo vit, kamerat zakonisht qëndrojnë jashtë, duke e mbajtur atë që ndodh brenda si një privilegj ekskluziv për të ftuarit. Të pranishmit duhet të respektojnë rregullin pa telefona, por në epokën e rrjeteve sociale, shpesh dalin pamje nga brenda, përfshirë selfiet ikonike në banjë që janë bërë virale ndër vite.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSë fundmi, Vogue ka filluar të publikojë disa pamje të kontrolluara nga brenda, duke i dhënë publikut një ide më të qartë për atmosferën luksoze.
Pasi ngjitën shkallët ikonike të Muzeut, të ftuarit hynë në sallën kryesore, e cila, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, këtë vit ishte transformuar në një “kopsht të Italisë veriore”. Nga tavani varej një hënë e madhe që lëkundej lehtë, ndërsa poshtë saj ndodhej një kompozim me lule i rrethuar nga degë selvish, një skenografi që dukej si nga një film.
Atmosfera u bë edhe më elegante nga tingujt e disa harpistëve, ndërsa të ftuarit prisnin në radhë për të përshëndetur bashkënikoqirët: aktoren, Nicole Kidman, sportisten, Venus Williams, drejtoreshën e gjigandit medial “Conde Nast”, Anna Wintour dhe kryesuesen e nderit, bashkëshorten e biznesmenit Jeff Bezos, Lauren Sánchez - Bezos. Këngëtarja, e cila po ashtu ishte bashkënikoqire, Beyoncé, mbërriti më vonë.

Aktorja Sarah Paulson ka treguar se pritja nuk ishte e shkurtër.
“Kam pritur 45 minuta”, ka thënë ajo, duke shpjeguar pse ende nuk kishte arritur të shihte ekspozitën “Costume Art”. Madje shtoi me humor për lodhjen se “mund të m'i prisni këmbët nga kyçi”.
The Hollywood Reporter ka shkruar se krahas modës, një nga momentet më të pritura është gjithmonë muzika live. Këtë vit, në skenë u ngjit fituesja e çmimit “Grammy”, këngëtarja Sabrina Carpenter, e cila sapo kishte përfunduar performancën e saj në festivalin e famshëm “Coachella”.
Ajo interpretoi disa nga hitet e saj më të njohura si “Espresso”, “Please, Please, Please” dhe “House Tour”, duke i ngritur të ftuarit në këmbë për të kërcyer. Më pas, legjenda e muzikës Stevie Nicks u bashkua në skenë, duke kënduar “Gypsy”, “Edge of Seventeen”, si dhe duetet “Landslide” dhe “Don’t Stop Thinking About Tomorrow”.
Para se të ulen në vendet e tyre, të ftuarit kanë mundësinë të shohin ekspozitën e këtij viti, “Costume Art”, përpara hapjes zyrtare për publikun më 10 maj.
Ky është gjithashtu momenti kur ata takohen, bisedojnë dhe shkëmbejnë ide me figura të tjera të industrisë. Organizatorët kujdesen që çdo detaj të jetë i menduar me kujdes, edhe ulja në tavolinë.
Aktorja, Zoë Kravitz, pjesë e komitetit organizues, përshëndeste të ftuarit, ndërsa aktori Bradley Cooper dhe partnerja e tij, modelja Gigi Hadid bisedonin qetësisht, të kapur për dore. Pranë tyre, aktori Hugh Jackman dhe aktorja Sutton Foster po kalonin një moment të ngjashëm.

“Ne kalojmë shumë kohë duke menduar se kush ulet pranë kujt, ideale duke bashkuar njerëz që lidhen menjëherë ose zbulojnë se kanë më shumë gjëra të përbashkëta sesa mendonin. Është e rëndësishme që të gjithë të kenë pamje të mirë të skenës dhe të mos ulen pranë një ish-partneri”, ka thënë organizatorja nga Vogue, Sache Taylor.

Dekori i këtij viti, i krijuar nga Raul Avila dhe Derek McLane, ishte frymëzuar nga kopshtet e Italisë veriore.

Edhe menuja ndoqi të njëjtën temë, me një darkë të kuruar nga Olivier Cheng Catering, që sipas The Hollywood Reporterit përfshinte: djathë burrata, mish qengji me panna cotta morel, njoki me parmezan, perime pranverore dhe tri lloje ëmbëlsirash.

Edhe pse publiku nuk mund ta provojë këtë menu, shpesh ndonjë i ftuar ndan përshtypjet në rrjete sociale, siç ndodhi vitin e kaluar.




Kodi i veshjes për këtë vit ishte “Fashion Is Art” (Moda është Art), ndërsa ekspozita “Costume Art” (Arti i Kostumeve) eksploron lidhjen e fortë mes trupit dhe veshjes në kohë dhe kultura të ndryshme.
Sipas përshkrimit zyrtar, ekspozita tregon se si veshja dhe arti janë të pandashëm, duke vendosur krah për krah rroba dhe vepra arti nga koleksioni i muzeut.
Prania e biznesmenit, Bezos dhe bashkëshortes së tij, Sánchez Bezos si sponzorizues të ngjarjes, kishte shkaktuar reagime në New York, me disa kritika ndaj miliarderëve, ka raportuat Associates Press.

Por aktivisti Al Sharpton kishte një qëndrim tjetër.
“Gjithmonë ka pasur miliarderë këtu. Mund të mos pajtohem me gjithçka që bën Bezos, por a duhet të heq dorë nga Beyoncé dhe Venus Williams?”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar gjithashtu përpjekjet e drejtoreshës së ngjarjes, Wintour, për diversitetin e personazheve që zgjodhi si bashkënikoqirë.
“Vendosa të vij”, ka thënë Sharpton.
Aktivistja irlandeze Sinéad Burke ka treguar se fillimisht kishte refuzuar ftesën për të qenë pjesë e organizimit.
“I thashë jo”, u shpreh ajo, duke kërkuar që ngjarja të ishte plotësisht e qasshme për personat me aftësi të kufizuara.
Pas 18 muajsh pune, ajo ndihmoi në krijimin e hyrjeve pa shkallë dhe në përfshirjen e gazetarëve me aftësi të kufizuara.
“Jam krenare për këto hapa të vegjël”, ka thënë Burke.
Por ka pasur edhe shqetësime për industrinë.
Modelja Lauren Wasser, e njohur për këmbët protezë prej ari, ka thënë se megjithëse ngjarja promovon diversitetin, realiteti jashtë nuk është gjithmonë i njëjtë.
“Dua ta shoh këtë edhe në jetën reale. Kemi pasur një moment, por kemi bërë një hap pas”, ka thënë Wasser.
Këngëtarja e filmit “K-Pop Demon Hunters”, EJAE, e cila luan rolin e Rumit, e që është fituese e çmimit “Oscar” për këngën “Golden”, u shfaq me një fustan argjendi me kristale, duke thënë se “Doja të shkëlqeja fjalë për fjalë”.

Ndërkohë, aktorja Paulson, që merrte pjesë për herë të gjashtë, bëri shaka duke thënë se e njeh mirë vendin.
“E njoh këtë vend, i di sekretet… duhet të kenë kujdes! Nuk mund ta besosh me kë ndan ajrin këtu”, ka thënë ajo.
Ndërsa darka kishte nisur dhe Beyoncé kishte mbërritur me bashkëshortin, reperin, Jay-Z dhe vajzën e tyre, vëmendja u zhvendos te një tjetër hyrje e madhe, këngëtarja e mirënjohur Rihanna.
Ajo dhe partneri i saj, reperi, A$AP Rocky ndaluan për fotografi dhe më pas u takuan me modelen Heidi Klum, cila ishte veshur si një statujë mermeri.

“Kjo është veshja më e bukur sonte, pa dyshim”, ka thënë A$AP Rocky.
“Oh Zot, s’të duroj dot!” u përgjigj Rihanna me admirim.
“Sa të kanë paguar që të rrish kështu gjithë natën?”, shtoi ajo me humor.