Aktori i njohur Brad Pitt ka rrëfyer një episod nga fillimet e karrierës së tij, kur për pak sa nuk u përjashtua nga filmi i parë në të cilin kishte paraqitje të shkurtër, thjesht sepse foli pa leje në skenë.
Në moshën 61-vjeçare, Pitt kujton përvojën kur luajti si kamarier në filmin “No Man's Land” (1987), ku u përpoq të shtonte një fjali gjatë xhirimit të një skene, me shpresën se kjo do ta ndihmonte për të fituar kartën e anëtarësimit në Screen Actors Guild (SAG) – një hap i domosdoshëm për të pasur mundësi të punonte si aktor profesionist në SHBA.
“Ishte një skenë në një restorant. Personazhet kryesorë ishin Charlie Sheen dhe D.B. Sweeney, dhe disa aktorë të tjerë që nuk i njihja. Unë isha kamarieri. Më treguan si ta bëja: duhej të sjellja shampanjën, ta derdhja me kujdes, ta rrotulloja shishen, dhe pastaj ta fshija”, rrëfeu Pitti në podcastin “Armchair Expert” të Dax Shepard.
Pitti shpjegoi se e kishte ndërmarrë këtë veprim për të kapërcyer një pengesë klasike për aktorët e rinj.
“E gjithë loja ishte: si e merr kartën SAG? Sepse nuk mund të marrësh një punë nëse nuk e ke, por nuk mund ta marrësh nëse nuk ke punuar”, u shpreh ai.
Aktori më pas përshkroi momentin e tensionuar.
“Si një idiot, në fund të skenës, i afrohem aktores së fundit – dukej pak më e rëndomtë në hierarki, ndoshta – dhe teksa po i derdhja shampanjën, i thashë: ‘A dëshironi ndonjë gjë tjetër?’ – Menjëherë: ‘preje!, preje!’. Asistenti i parë i regjisë vrapoi drejt meje: ‘Nëse e bën këtë prapë, je jashtë!!!’”, shpjegoi ai.