Showbiz

Brad Pitt: Është humbje kohe të merrem me thashethemet për jetën time private

Brad Pitt

Brad Pitt

Foto: Associated Press

Aktori i njohur Brad Pitt ka vendosur të mos e lërë më opinionin publik të ndikojë në jetën e tij. Në një intervistë për revistën GQ, ai foli për filmin e tij të ri mbi garat me makina “F1”, por edhe për mënyrën se si e ka përballuar për dekada vëmendjen ndaj jetës së tij private.

“Jeta ime personale ka qenë gjithmonë në lajme. Janë bërë 30 vjet kështu. Ose të paktën një version i jetës sime personale, le ta themi ashtu”, ka thënë Pitt, ka raportuar CNN.

Aktori fitues i çmimit “Oscar” ka thënë se gjithë kjo vëmendje mediatike ka qenë një lloj shqetësimi që e ka shoqëruar për shumë kohë.

“Ka qenë gjithmonë një lloj humbje kohe që të merr mendjen, nëse ia lejon vetes. Por në thelb, jeta ime është mjaft e përmbajtur”, ka thënë ai.

Ylli ka shtuar se ndihet i qetë me jetën që ka krijuar.

“Ndihem ngrohtë dhe i sigurt me miqtë, me njerëzit që dua, me familjen dhe me vetëdijen që kam për veten. Thashethemet janë si një mizë që të rrotullohet përqark”, ka thënë tutje aktori.

Pjesa më e madhe e vëmendjes ndaj Pitt është fokusuar në marrëdhënien dhe ndarjen e tij nga aktorja e mirënjohur, Angelina Jolie. Ata ishin një nga çiftet më të famshme të Hollywoodit, prindër të gjashtë fëmijëve dhe ishin bashkë afro një dekadë përpara se të martoheshin në vitin 2014. Jolie kërkoi divorcin në vitin 2016 dhe procedurat ligjore përfunduan vetëm vitin e kaluar, pas tetë vitesh përballje në gjykatë.

I pyetur për përfundimin e kësaj beteje ligjore, Pitt ka thënë se nuk ishte diçka e madhe.

“Nuk ishte ndonjë gjë aq e madhe. Ishte thjesht diçka që po përmbyllej... në mënyrë ligjore”, ka thënë ai.

Megjithatë, Pitt dhe Jolie vazhdojnë të jenë të përfshirë në një tjetër proces të ndërlikuar ligjor që lidhet me pronën Château Miraval, në Francë që e zotëronin bashkë dhe ku u martuan. Konflikti ka nisur pasi Jolie e kishte shitur pjesën e saj të pronës, pa miratimin e Pitt, dhe çështja ende po trajtohet nga gjykatat.