Showbiz

Birminghami i thotë lamtumirë Ozzy Osbourneit

ozzy

Ozzy Osbourne ishte një nga figurat më të famshme në skenën e muzikës rock: shquhej si novator, zëri i tij i frikshëm ndihmoi në zhvillimin e zhanrit “heavy metal”, ishte një artist i shkëlqyer që një herë kafshoi kokën e një lakuriqi në skenë

Tetë ditë pas vdekjes së tij, trupi i Ozzy Osbourne do të kalojë për herë të fundit nëpër qytetin e tij të lindjes, Birmingham, ku adhuruesit, miqtë dhe familjarët do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën, ka raportuar BBC.

Trupi i këngëtarit të grupit legjendar Black Sabbath, i cili u rrit në lagjen Aston, do të parakalojë të mërkurën përmes qytetit, përpara ceremonisë private të varrimit. Ngjarja është financuar nga familja dhe, sipas kryetarit të Bashkisë së Birminghamit, Zafar Iqbal, është një rast që qyteti të nderojë “njërin nga legjendat më të mëdha të tij”.

Kortezhi do të kalojë pranë Urës së Black Sabbath dhe ulëses përkujtimore, ku mijëra adhurues kanë lënë lule dhe mesazhe që prej njoftimit të vdekjes së tij më 22 korrik. Shumë prej tyre kanë udhëtuar nga vende si Meksika dhe SHBA për të nderuar Osbournein, i cili u nda nga jeta pothuajse tre javë pasi performoi në koncertin e fundit të grupit, “Back to the Beginning”.

Nga ora 13:00 sipas kohës lokale, makina funerale dhe automjete shoqëruese do të nisin rrugëtimin nëpër Broad Street. Gjatë kortezhit, do të performojë Bostin’ Brass Band, një grup muzikor nga Birminghami, dhe muzikantë të tjerë lokalë.

Një tramvaj i emërtuar me emrin e Osbournes, që u zbulua në vitin 2016, do të qëndrojë pranë Bibliotekës së Birminghamit gjatë ngjarjes.

Bashkia ka paralajmëruar për turma të mëdha adhuruesish që priten të dalin për ta përshëndetur për herë të fundit njeriun që “ndihmoi në formimin e zhanrit heavy metal” dhe që “mbajti me krenari shpirtin e Birminghamit”.

Për ata që nuk mund të jenë të pranishëm fizikisht, transmetimi i drejtpërdrejtë nga ulësja përkujtimore do të vazhdojë online.

Fansat mendojnë se nuk kishte vend më të përshtatshëm se Biminghami për këtë ngjarje.

“Është e mrekullueshme që po mbahet në qytetin e tij të lindjes. Këtu është vendi ku ai gjithmonë ka dashur të jetë. Ai më bën të ndihem krenare që jam nga Birminghami”, ka thënë Rachel Tomlinson, një banore e Birminghamit

Luisa Huggins, përfaqësuese e Westside Business Improvement District që menaxhon stolin përkujtimor të Black Sabbath në Broad Street, ka thënë se është prekur nga fakti se kaq shumë persona kanë shkuar për ta nderuar Osbournen.

“Është prekje e veçantë të shohësh kaq shumë njerëz që vijnë në Birmingham për të nderuar një legjendë si Ozzy Osbourne. Ai ishte shumë krenar që vinte nga ky qytet, dhe ne ishim po aq krenarë që ai ishte njëri prej nesh”, ka theksuar