Showbiz

Bieber nuk i kishte njoftuar organizatorët e “Grammyt” se do të performonte në të brendshme

Justin Bieber

Këngëtari, Justin Bieber, i habiti organizatorët e ceremonisë “Grammy” kur doli në skenë i veshur vetëm me të brendshme, pa i paralajmëruar më herët për këtë zgjedhje të pazakontë.

31-vjeçi ka performuar në ndarjen e çmimeve “Grammy” në Los Angeles, dhe befasoi publikun në Crypto.com Arena duke u shfaqur në skenë vetëm me një palë të brendshme nga brendi i modës SKYLRK dhe një palë çorape.

Zgjedhja e veshjes nuk ishte e ditur as për organizatorët, ka raportuar FemaleFirst.

Producenti ekzekutiv i “Grammyt”, Ben Winston, ka treguar në podcastin “Rolling Stone Music Now” se Bieber nuk kishte një plan të qartë deri në momentin e fundit.

“Nuk mendoj se e kishte vendosur se çfarë do të vishte deri në çastin kur doli në skenë. Ai as nuk është tipi që thotë: ‘Këtë do ta bëj’. Kur e kontaktuam për idetë kreative, ai thjesht tha: ‘Do të dal në skenë dhe do të këndoj’”, ka thënë Winston.

Producenti ka zbuluar gjithashtu se Bieber kishte nevojë për shumë pak prova për performancën e tij, vetëm 15 minuta nga 90 minuta që i ishin caktuar.

“Ishim vetëm shtatë minuta brenda provës së tij prej një ore e gjysmë dhe ai më tha: ‘Si të duket? Je i kënaqur?’. Unë i thashë: ‘O Zot, dukej shumë bukur, më pëlqeu shumë’. Dhe ai u përgjigj: ‘Në rregull atëherë. Shihemi në ditën e spektaklit!’”, ka treguar Winston.

Megjithatë, producenti i kërkoi që ta këndonte edhe një herë këngën, në mënyrë që kameramanët të mund të rregullonin pozicionet e tyre.

“Ishte tamam ajo që ai donte të bënte. Ishte gjithçka e tij. Një moment që përcakton karrierën e tij. Ishte shumë ndryshe nga çfarë kemi parë prej tij ndër vite”, ka thënë Winston për performancën e Bieberit.