Showbiz

Beyoncé përballet me kërkesë për heqjen e disa pamjeve të turneut “Cowboy Carter”

Beyonce

Beyonce

Foto: Associated Press

Ylli i muzikës, Beyoncé, po përballet me një sfidë ligjore të inicuar nga kompania që zotëron arenën më të re në Las Vegas, “The Sphere”.

Sipas New York Post, kompania “Sphere Entertainment Group” (SEG), e drejtuar nga miliarderi James Dolan, i ka dërguar një letër zyrtare paralajmëruese “cease-and-desist” kompanisë së saj të produksionit, “Parkwood Entertainment”, duke kërkuar heqjen e disa pamjeve vizuale nga turneu i Beyonces “Cowboy Carter”.

Skenat ku shfaqet Beyonce, në fillim të shfaqjes së saj në kuadër të turneut "Cowboy Carter"

Pamjet në fjalë, të postuara nga adhuruesit gjatë koncertit hapës në Los Angeles, tregojnë një version gjigand të animuar të Beyoncés që shfaqet në Las Vegas dhe më pas merr sferën ikonike të arenës në duar dhe luan me të. Kjo skenë, sipas letrës, përbën një “shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale” të kompanisë.

Skenat vizuale ku shfaqet Beyonce, në fillim të shfaqjes së saj në kuadër të turneut "Cowboy Carter"

Në letër thuhet se “Beyoncé, shumëfish më e madhe se vetë ‘Sphere’, përkulet, e merr arenën dhe shfaqet duke e dominuar.”

SEG shprehet se nuk është pyetur dhe nuk ka dhënë leje për përdorimin e pamjes së veçantë të arenës në video, as në produkte të mundshme, materiale promocionale apo në ndonjë projekt filmik të mundshëm të turneut.

Skenat ku shfaqet Beyonce, në fillim të shfaqjes së saj në kuadër të turneut "Cowboy Carter"

“Ky përdorim i paautorizuar ka nxitur spekulime të shumta se Beyoncé do të përfundojë turneun me disa koncerte në 'Sphere' – gjë që nuk është e vërtetë”, theksohet tutje në letër.

Beyoncé, e cila nuk ka performuar kurrë në “Sphere”, ka afat deri të hënën më 5 maj 2025, për t'i hequr pamjet përndryshe, kompania rezervon të drejtën për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjorë pa paralajmërim.

Çfarë ndodhi me bisedimet për koncertet që do të mbante Beyonce në Las Vegas?

Burime për New York Post kanë zbuluar se Beyoncé ishte në negociata të gjata me “Sphere” për koncertet, por bisedimet dështuan. Kërkesa e saj që arena të mbyllej për dy javë për prova konsiderohej një humbje e madhe financiare, pasi “Sphere” shfaq filmin e suksesshëm “Postcards from Earth” katër herë në ditë, me bileta që nisin nga 104 dollarë.

James Dolan, drejtor i "Sphere"

Po ashtu, “Parkwood Entertainment” kërkonte rreth 10 milionë dollarë për të ndërtuar skenën e teknologjisë së lartë, një shumë e ngjashme me atë që “Sphere” i kishte dhënë grupit të njohur “U2” për koncertin e tyre.

Pas dështimit të marrëveshjes me “Sphere”, Beyoncé mësohet se është duke biseduar me “MGM” për disa koncertet alternative me 100 shfaqje gjatë katër vjetëve.

“Nuk komentojmë për asnjë artist që do të performojë në ‘Sphere’, përveç atyre që janë shpallur zyrtarisht”, ka thënë një zëdhënës i “Sphere”.